VIDEO/ Shumë “luftë” për një pikë mes Vllaznisë dhe Laçit, Duro rikthehet me barazim
Nuk ka gola dhe fitues në Vllaznia-Laçi. Dueli i luajtur në “Loro Boriçi” ishte tepër i luftuar dhe plot duele të forta në çdo cep të fushës. Rikthim me barazim për Shpëtim Duron në stolin e bardhezinjve kurbinas, që mbetën në vend të dytë me dy pikë mbi Kukësin ndjekës.
Da Silva, Ante Aralica dhe Liridon Latifi kërcënuan për vendasit, ndërsa Julian Shehu dhe Mentor Mazrekaj tentuan për ekipin mik. Pjesa e dytë ishte më e bukur, me dy skuadrat që tentuan golin.
Bashkim Velija kishte një mundësi fantastike për Laçin, por anësori i djathtë u vonua shumë dhe fitoi vetëm një këndore. Për kurbinasit e Duros provuan edhe Ujka, Shehu dhe Guindo, ndërsa kuqeblutë e Plorit tentuan me Jonuzin, Latifin, Da Silvën dhe Adilin.
Në fund barazim 0-0, me Laçin që ngjitet në kuotën e 47 pikëve, ndërsa skuadra e Vllaznisë (40) i lë vendin e katërt Partizanit (41.)
Abissnet Superiore
Java e 28
Vllaznia-Laçi 0-0
Kronika e ndeshjes:
90+2′ Darko Bulatovic ndërhyn gabim ndaj Adelekes dhe ndëshkohet me karton të verdhë.
90′ “Predhë” e Mevlan Adilit, topi mbi traun e portës laçiane.
88′ Ndërhyrje e ashpër e Mehdi Çobës ndaj Bashkim Velijas, faull për ekipin kurbinas.
82′ Julian Shehu devijon topin e ardhur nga këndorja, grushton Zogovic, provon edhe Saliou Guindo, topi përplaset në shpinën e Fjoart Jonuzit.
80′ Adeleke driblon bukur Mevlan Adilin, futet në zonë dhe rrëzohet pas kontaktit me Ardit Krymin, arbitri vijon lojën.
76′ Provon edhe Fjoart Jonuzi për kuqeblutë, Mario Dajsinani në gatishmëri.
74′ Goditje dënimi për Vllazninë. Muri bardhezi frenon Liridon Latifin, tenton edhe Ardit Krymi, por gjuajtja potente nuk ka saktësi.
68′ Shansi më i mirë i ndeshjes për Laçin. Adeleke pason për Bashkim Velijan, i cili del i vetëm përballë Zogovic, devijohet në këndore gjuajtja e anësorit të djathtë.
67′ Serxho Ujka nis bukur Saliou Guindo, i cili tenton të pasojë për Adeleken, por portieri Zogovic tregohet më i shpejtë.
65′ Serxho Ujka kërkon portën, por goditja e mesfushorit kurbinas përfundon jashtë.
62′ Da Silva provon nga larg, këndore për skuadrën e Vllaznisë.
59′ Da Silva pason për Liridon Laitifin, qëndrore gjuajtja e sulmuesit dardan, pret pa probleme Mario Dajsinani.
57′ Zëvendësimi i dytë për Laçin pas atij mes Mazrekajt dhe Adelekes. Renato Malota dëmtohet dhe detyrohet t’i lërë vendin Rudolf Turkajt.
45+3′ Reagon Laçi, Mentor Mazrekaj tenton trekëndëshin e portës shkodrane, topi mbi tra.
45′ Liridon Latifi i rrezikshëm për vendasit, topi devijohet në këndore.
42′ Kombinime të bukura mes Saliou Guindo dhe Mentor Mazrekajt, topi shkon te Julian Shehu, por goditja e mesfushorit është e pasaktë.
40′ Ardit Hoxhaj ekzekuton goditjen e dënimit, pret pa probleme Mario Dajsinani.
38′ Julian Shehu humbet një top në mesfushë, niset Vllaznia me Da Silvën, i cili frenohet nga Renato Malota. Karton i verdhë për mbrojtësin e Laçit.
33′ Vllaznia del mirë në krahun e djathtë, Aralica pranë golit, ndërhyrje e trefishtë e mbrojtjes kurbinase.
27′ Mundësi e mirë për Da Silvën, Ziko bllokon gjuajtjen e brazilianit të Vllaznisë, Velkoski largon topin.
15′ Pasim i gabuar i Darko Bulatovic, përfiton Mentor Mazrekaj që ndalet në mënyrë të parregullt nga Mevlan Adili. I verdhë për mbrojtësin shkodran, dëmtohet lojtari i Laçit, i cili largohet me barelë dhe më pas rikthehet në fushë.
13′ Liridon Latifi tenton nga goditja e dënimit, topi përfundon jashtë.
10′ Karton i verdhë për Marko Roganovic pas ndërhyrjes së parregullt ndaj Liridon Latifit. Bardhezinjtë protestojnë për një faull të munguar të Fjoart Jonuzit ndaj Ardit Deliut.
1′ Laçi pretendon për penallti pas kontaktit në zonë mes Mevlan Adilit dhe Serxho Ujkës. Arbitri vijon lojën.
Fillon ndeshja në “Loro Boriçi”. Vllaznia dhe Laçi kërkojnë rikthimin te fitorja.
Formacionet zyrtare
Vllaznia nuk fiton në kampionat që prej 3 marsit ndaj Dinamos, ndërsa Laçi duhet të kthehet deri në shkurt për të gjetur suksesin e fundit në Abissnet Superiore. Pasditen e sotme dy skuadrat përballen në “Loro Boriçi” me synimin për t’i dhënë fund ecurisë negative.
Në kampin shkodran, Elvis Plori nuk ndryshon thuajse asgjë nga formacioni me të cilin ka përballuar Partizanin e Kastriotin, pasi mungon vetëm Diagne, i pezulluar, i cili zëvendësohet nga malazezi Bulatoviç.
Nga ana tjetër te kurbinasit nis era “Duro 2”, me teknikun kryeqytetas që merr vendin e Mirel Josës, por nuk ndryshon asgjë nga formacioni me të cilin Laçi u përball ndaj Partizanit në ndeshjen e të hënës.
Vllaznia (4-2-3-1): Zogoviç; Kruja, Adili, Bulatoviç, Hakaj; Krymi, Jonuzi; Latifi, Da Silva, Hoxhaj; Aralica. Trajner: Elvis Plori.
Laçi (4-3-3): Dajsinani; Roganoviç, Velkoski, Malota, Ziko; Shehu, Ujka, Deliu; Mazrekaj, Velija, Guindo. Trajner: Shpëtim Duro



