Rregulli i çuditshëm i Formula 1, Hamilton: Duhet të më prisni veshin më parë
Në Formula 1 ekziston një rregull që pilotët nuk duhet të mbajnë aksesorë gjatë garave, si vathët, por rregullat ndonjëherë janë bërë për t’u thyer, të paktën për Lewis Hamilton. Shtatë herë kampioni i botës në garat me makina u pa pak momente para se të vendoste kaskën e tij dhe të hipte në makinën Mercedes se kishte një vath në veshin e tij të majtë. Rregullorja e Formula 1 thekson se pilotët nuk mund të mbajnë sende metalike gjatë garave, duke theksuar se një masë e tillë merret për çështje sigurie. Megjithatë, Hamilton nuk ka ndërmend që ta heqë vëthin, diçka që ai e ka pohuar pas garës së fundit.
Vetë piloti është shprehur se është vendim që i takon atij nëse do të mbajë apo jo aksesorë.
“Duhet të më presin veshin nëse duan të më heqin vëthët. Nuk kam ndërmend që të heq vëthin tim, për shkak se është diçka personale”-theksoi britaniku.
Në fund të Çmimit të Madh Australian, ku Leclerc arriti që të dalë i pari duke regjistruar kohën më të mirë, Lewis Hamilton doli i katërti ndërsa ndodhet i pesti në renditjen e pilotëve me 28 pikë. Por, pikërisht elementi me aksesorët ka tërhequr vëmendje, duke detyruar organizatorët të veçojnë se rregulli që i ndalon pilotët të mbajnë sende metalike është që të mos bëhen pengesë në rast emergjence të ndërhyrjes së stafit mjekësor. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë sanksione ndaj britanikut, apo do të ketë tolerim në këtë situatë.



