Vanoli: Kastrioti nuk vodhi gjë, besojmë deri në fund te mbijetesa
Dinamo dështoi në një tjetër finale mbijetese. Ekipi kryeqytetas humbi 0-1 me Kastriotin dhe tani ndodhet 8 pikë larg Egnatias së vendit të tetë. Humbja e tretë radhazi me Rodolfo Vanolin në stol, me trajnerin italian që analizoi disfatën e radhës në “Gol pas Goli” në Supersport.
“Mendoj se në këto tre ndeshje skuadra ka gabuar vetëm kundër Egnatias. Sot ekipi u paraqit mirë, ndryshuam skemë, tentuam të jemi më sulmues, por nuk arritëm nivelin që patëm kur ishim më mbrojtës. Janë situata kur mjafton edhe një gjysmë gjuajtje për të pësuar gol. Urime kundërshtarit, ata nuk vodhën asgjë, bënë ndeshjen e tyre.
Goli i pësuar? Ky është një problem i madh. Si ndaj Tiranës, Egnatias dhe sot, pothuajse janë gabimet tona te golat e pësuar. Mund të pësosh gol, por jo t’u falësh gola kundërshtarëve.
Mbijetesa? Jo, nuk është çështje e mbyllur. Nuk është se djemtë nuk po luftojnë. Do të japim maksimumin, unë flas për këto tre ndeshje, nuk mund të flas për atë që ka ndodhur përpara. Duhet të besojmë deri në fund, të japim maksimumin, pasi kemi detyrime ndaj presidencës dhe tifozëve”, deklaroi trajneri italian.



