Goditi përgatitësin e portierëve të Romës, UEFA merr masën për trajnerin e Bodo/Glimt
Për të dytën herë në këtë sezon, Roma doli e mposhtur nga transferta norvegjeze ndaj Bodo/Glimt. Verdhekuqtë u mposhtën me rezultatin 2-1 në çerekfinalen e Conference League, ndërsa tashmë synojnë përmbysjen në Itali. Sakaq, tensionet në këtë sfidë nuk munguan dhe madje edhe nga trajneri i Bodo/Glimt, Kjetil Knutsen.
Ky i fundit sulmoi përgatitësin e portierëve të Romës në fundin e ndeshjes teksa skuadrat ishin futur në dhomat e zhveshjes, ndërsa nuk mungoi edhe konfrontimi fizik. Ishte Lorenzo Pellegrini që zbuloi për publikun atë që kishte ngjarë në brendësi të stadiumit, teksa së fundmi, UEFA ka marrë edhe masën për trajnerin e norvegjezëve duke e pezulluar për një ndeshje.
Në këtë formë, Knutsen nuk do të jetë në pankinë për ndeshjen e kthimit ndaj verdhekuqve, teksa dënimit nuk i shpëtoi as përgatitësi i portierëve të Romës, i cili gjithashtu është pezulluar me një ndeshje.



