Analizë Superiore/ Kastrioti dhe Egnatia racionalë, Vllaznia e Dinamo dalin “huq”
Rezultatet e javës së 28-të të Kategorisë konfirmoi Tiranën kandidaten pa rivalë për titullin kampion, formën shumë të mirë të Kastriotit, që jo vetëm po largohet zonën së rënies së drejtpërdrejtë, por me shumë gjasa do të sigurojë mbijetesën pa qenë nevojë për të luajtur përballjen play out, si dhe futi në garë Partizanit për një vend në kupat e Europës nëpërmjet kampionatit.
Skënderbeu-Tirana 0-4: Statistikat e nxjerra në emisionin Analizë Superiore, në fakt, nuk reflektohen në mënyrë të drejtë me rezultatin final, por shpjegimi në këtë rast është i thjeshtë: diferencën e bëjnë kualitetet e Tiranës. Skënderbeu ka një dominim të lehtë në kontrollin e topit, e ka tentuar portën madje më shumë se Tirana(13/12), por rezultati përfundimtar anon thellësisht në favor të bardhebluve.

Vllaznia – Laçi 0-0: Sfida e “Loro Boriçit” ishte e vetmja e kësaj jave që përfundoi pa gola. Pavarësisht një epërsie të ndjeshme të Vllaznisë në zotërimin e topit dhe në goditjet drejt dhe në portë, kurbinasit, me Duron në stol, ia dolën të merrnin një pikë përballë një rivali që, nëse do të fitonte, mund të ishte kërcënim për vendin e dytë. Interesant fakti që Laçi nuk e ka çuar topin në portë në asnjë nga tetë tentativat.

Partizani – Teuta 3-1: Të kuqtë, referuar statistikave, mund të thuhet e kanë merituar fitoren. Zotërimi i topit është 55% në favor të skuadrës së drejtuar nga Dritan Mehmeti, që gjithashtu ka fituar ndjeshëm më shumë goditje këndi (6/2), ndërsa në aspektet tjera ka ekuilibër ose epërsi të ekipit durrsak. Gjithsesi, në fund kanë rëndësi golat.

Kukësi – Egnatia 1-1. Skuadra rrogozhinase edhe në këtë sfidë tregoi se është e pjekur, di t’i menaxhojë forcat e saj në funksion të rezultatit pozitiv. Verilindorët janë ndjeshëm superiorë në kontrollin e topit, por kur bëhet fjalë për goditjen në portë, ka ekliubër të plotë (2/2). Bie gjithashtu në sy fakti që në 18 tentativa për driblim, lojtarët e Longos kanë pasur rezultat pozitiv vetëm në gjysmën e tyre.

Dinamo – Kastrioti 0-1: Është rasti që tregon se mjafton edhe një goditje në portë (nga tri tentative gjithsej) për ta fituar ndeshjen. Blutë, tashmë me një këmbë në Kategorinë e Parë, treguan superioritet në të gjitha aspektet e lojës, dhe këtë e vërtetojnë statistikat, por nuk ishin aspak racionalë dhe të aftë për të shkuar deri te goli.




