Conference League

Mourinho: Mbajmë lart flamurin italian, por Zaniolon e lini të qetë

Pas një barazimi e dy humbjeve (njëra prej të cilave me rezultatin e thellë 6-1), Roma ia del të vendosë në vend nderin ndaj norvegjezëve të Bodo/Glimt, duke e mposhtur 4-0 në “Olimpico” dhe duke u kualifikuar për në gjysmëfinalet e Ligës së Konferencës.

Verdhekuqtë dominuan totalisht ndaj norvegjezëve, duke hapur serinë e golave me Tammy Abraham dhe më pas ishte radha e një tregolëshi nga Zaniolo, teksa Jose Mourinho nuk e fshehu aspak kënaqësinë për këtë kualifikim.

“Nuk kishte histori sonte, por është e papranueshme, që i kemi mundur vetëm në ndeshjen e katërt me ta. Luajtëm shumë mirë, me intensitet, presing dhe cilësi në daljet përpara. Isha i bindur që jemi superiorë dhe nuk kisha asnjë frikë para kësaj ndeshjeje”, u shpres Mourinho.

Roma është e vetmja skuadër italiane e mbetur në kompeticionet europiane, teksa portugezi flet edhe për Nicolo Zaniolon, që pas disa ndeshjeve në stol, u rikthye në mënyrë perfekte me tre gola.

“Morëm një rezultat të merituar, në një rrugëtim të vështirë dhe tani jemi të vetmit që mbajmë flamurin italian në Europë, ndaj duam ta çojmë sa më lart. Zaniolo është një lojtar që shet shumë, ndaj mediat e mbajnë gjithmonë në faqe të parë. Unë mendoj se duhet ta lëmë të qetë, për të mirën e tij, por edhe për të mirën e futbollit italian”, deklaroi portugezi.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency