“Thyem më të fortët”, Klopp: Jemi në qiellin e shtatë! Pjesa e parë? Më e mira me mua në stol
Liverpool mposhti 2-3 Manchester City në “Wembley” dhe siguroi kalimin në finalen e FA Cup, aty ku do të përballet me fituesin e çiftit Chelsea-Crystal Palace. “The Reds” zhvilluan një pjesë të parë perfekte, të cilën e mbyllën në avantazh të trefishtë (Mane 2x, Konate).
Tani do të synohet fitimi i trofeut, që në “Anfield” mungon prej vitit 2006. “Mund të them se ishte pjesa e parë më e mirë që Liverpooli im ka luajtur ndonjëherë: më pëlqeu çdo moment i atyre 45 minutave të para.
Padyshim që ndeshja shpërtheu pas golit të Grealish, të gjithë e pamë cilësinë që zotëron Manchester City, që mbetet një ekip i jashtëzakonshëm”, deklaroi Jurgen Klopp pas suksesit emocionues. Liverpool fitoi Kupën e Ligës, po garon me ekipin e Pep Guardiolës për titullin kampion dhe do të sfidojë Villarealin në gjysmëfinalet e Champions League.

Ne jemi shumë të lumtur, pasi e dimë shumë mirë se sa e vështirë është të fitosh përballë tyre. Jemi në qiellin e shtatë: mundëm ekipin më të mirë në botë. Jam realisht shumë krenar për djemtë e mi.
Tifozët? Mendoj se në këtë moment është shumë e rëndësishme të them gjithashtu, sepse ishte vërtet e veçantë dhe të gjithë e ndjemë se ishte vërtet e veçantë, që atmosfera që tifozët tanë krijuan këtu nuk krahasohet me asgjë tjetër”, përfundoi trajneri gjerman, i cili ëndërron të fitojë këtë sezon çdo trofe të mundshëm me Liverpoolin.



