(VIDEO) Lojtarët në lot, dëmtim horror në ndeshjen e Premier League/ Mesfushorit iu desh ndihma e oksigjenit
Ashley Westwood, lojtar i Burnley, me siguri do ta mbajë mend gjatë ndeshjen ndaj West Ham. Jo për shkak se mesfushori shënoi gol, apo se skuadra e tij shkëlqeu në fushë. Por se fatkeqësisht ai pësoi një dëmtim të rëndë në kaviljen e cila është thyer pas një përplasje me Vlasic në minutën e 22.
Një dëmtim nga ata për të vënë duart në kokë, teksa lojtarët e të dyja skuadrave duke njohur mirë shkallën e dëmtimit nuk i mbajtën lotët, ndërsa Westwood pati nevojë edhe për oksigjen si një formë për t’u mbushur me frymë pas dhimbjeve të jashtëzakonshme.
Ndërkaq, edhe Vlasic u ndje shumë keq për dëmtimin pa qëllim që i shkaktoi kolegut të tij, ndërsa mori edhe ngushëllimin e lojtarëve të Burnley pasi në fushë u duk qartë se dëmtimi erdhi si pasojë e një situatë të pafat. Tashmë, koha e rikthimit në fushë për Westwood nuk mund të parashikohet, por e sigurt është se mesfushori do të qëndrojë për një kohë të gjatë larg terreneve të gjelbra.



