“Është shtëpia ime e dytë”, Ancelotti zbulon për kë do bëjë tifo në Kupën e Botës
Trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti ka deklaruar se pas eliminimit të Italisë nga Kupa e Botës Katar 2022, do të jetë tifoz i Kanadasë në kompeticion më të madh të futbollit.
Fituesit e Euro 2020 do të mungojnë në Lindjen e Mesme pasi pësuan një humbje shokuese në play-off nga Maqedonia e Veriut.
Djemtë e Roberto Mancinit nuk do të marrin pjesë në Kupën e Botës për herë të dytë radhazi, që do të thotë se Ancelotti dhe bashkatdhetarët e tij duhet të gjejnë skuadra alternative për t’u mbështetur.
Kanadaja do të garojë në finalet e Kupës së Botës për herë të parë që nga viti 1986 dhe pasi ka kryesuar kualifikueset e CONCACAF, është një skuadër që Ancelotti mezi pret ta shikojë, duke i shtuar edhe faktin që ai që prej vitit 2014 është i martuar me biznesmenen kanadeze Mariann Barrena Mçlay.
Tekniku italian tha për Rai Radio: “Në Kupën e Botës do të bëj tifo për Kanadanë, ata kanë munguar prej shumë vitesh dhe është shtëpia ime e dytë. Pastaj presidenti i Federatës Kanadeze është nga Abruzzo, kështu që të gjithë brohorasin për Kanadanë.”



