Kategoria Superiore

Në “Selman Stërmasi” ndaj Kastritotit/ Tirana, mund të festojë titullin këtë javë në shtëpi

Tirana mund të festojë titullin kampion që këtë fundjavë, dhe festa mund të koincidojë me rikthimin në Selman Stërnasi, shtëpinë e “bardhebluve”, ku skuadra e Orges Shehit rikthehet për sfidën ndaj Kastriotit.

Ndaj Egnatias një tjetër konfirmim kampionësh, 3-0, pastër dhe pa gabime. 17 gola të pësuar, mbrojtja më solide me diferencë nga gjithë të tjerët, 55 gola të shënuar, sulmi më i mirë i kampionatit, me 16 gola diferencë nga ndjekësit më të afërt të Laçit, po aq sa janë edhe pikët e distancës që i ndajnë nga kurbinasit, sado të lodhesh, e pamundur të gjesh një argument kundër Tiranës kampione.

Mund të thuhet me plot gojën, dhe sa për matematikën, edhe ajo mund ta shpallë Tiranën kampione që fundjavën e ardhshme. Një kombinim rezultatesh mund t’i japë skuadrës së Orges Shehit që këtë të dielë bekimin e shifrave për titullin e 26-të kampion, që pas përfundimit të javës së 30-të të Abissnet Superiore. Kështu nëse Laçi nuk fiton të shtunën përballë Kukësit, sfidë ku “verilindorët” kthehen pas një shtegtimi të gjatë në shtëpinë e tyre, “Kukësi Arena”, dhe Tirana merr tri pikët të dielën përballë Kastriotit, “bardheblutë” do të jenë zyrtarëisht kampionë të Shqipërisë.

Kjo pasi nëse Tirana fiton dhe Laçi humbet, atëherë diferenca do të shkonte në 19 pikë dhe me 6 javë të mbetura në lojë janë edhe 18 pikë, duke sanksionuar “bardheblutë” në fronin e Superiores. Por nëse Tirana barazon të dielën me formacionin krutan, gjithmonë nëse Laçi humbet të shtunën, “bardhebluve” do t’ju duhet të presin edhe të paktën një ndeshje për të marrë bekimin e matematikës.

Në këtë rast diferenca eventuale me kurbinasit do të ishte 18 pikë, në një kohë kur mbeten po aq në lojë. Këtu vendimtare do të kthehet sfida pasardhëse ajo që i vë “bardheblutë” pikërisht përballë Laçit, ku do t’ju mjaftojë të shmangin një humbje me 4 gola diferencë për t’u shpallur kampionë. Kjo pasi në këtë pikë në lojë hyjnë përballjet direkte, në 3 takimet sezonale mes Tiranës dhe Laçit “bardheblutë” kanë fituar 2 ndërsa kurbinasit 1, me golavarazhin 6-2 në favor të kryeqytetasve që për të rezultuar favoritë në fund ndaj kurbinasve iu mjafton të mos shmangin një humbje me më shumë se 4 gola diferencë. Praktikisht një titull i fituar, në raste të tilla thuhet se shampanja është vënë në akull, pritet vetëm momenti për ta hapur.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency