“Ndotja akustike” shqetëson rezidentët, në rrezik Çmimi i Miamit në Formula 1
Sezoni i ri i Formula 1 sapo ka nisur teksa janë zhvilluar tre garat e para ndërsa Ferrari dhe piloti i saj kryesor Charles Leclerc kanë hedhur kandidaturën për triumfin final. Këtë fundjavë një motiv më shumë për skuderinë “kokëkuqje” është edhe fakti se gara zhvillohet në shtëpinë e tyre, në Itali, në pistën e Imolas.
Por, nëse në Itali është e sigurt se kjo garë do të jetë një festë dhe do të ketë një numër të lartë spektatorësh, nuk mund të flitet për të njëjtën situatë për garën e ardhshme e cila është programuar të zhvillohet në Miami të Amerikës më datë 8 maj.
Aty banorët vendas janë kundër Formula 1, teksa kanë ngritur pretendime në rrugë gjyqësore që gara të anulohet si pasojë e zhurmës së lartë që makinat prodhojnë në shpejtësi të lartë.
Në këtë formë, Çmimi i Madh i Miamit është në dyshim serioz duke qenë se ligji në këtë shtet të Amerikës parashikon qartë se zhurmat nuk duhet të prishin paqjen e banorëve vendas ndërsa zyrtarët e Formula 1 janë në pritje të vendimit që do të marrin autoritetet amerikane.



