VIDEO/ Lojtari i Atletico shkel rregulloren, afrohet në ekranin e VAR dhe i shpjegon situatën arbitrit
Atletico Madrid vuajti shumë për të dalë me pikët e plota nga ndeshja e kësaj fundjave ndaj Espanyol. Los Colchoneros triumfuan me rezultatin 2-1 përballë skuadrës ku aktivizohet edhe Keidi Bare teksa goli i fitores për të besuarit e trajnerit Diego Simeone erdhi vetëm në minutën e 99-të nga 11-metrat.
Në fakt, arbitri Figueroa Vazquez kishte akorduar pesë minuta shtesë, mirëpo një prekje e topit me dorë nga ana e Raul de Tomas, bëri që minutat të kalonin duke qenë se në lojë “u fut” VAR. Por, teksa arbitri i drejtohej monitorit për të gjykuar momentin e prekjes me dorë, një nga lojtarët e Atletico Madrid vendosi të anashkalonte protokollin duke u afruar dhe komunikuar me gjyqtarin kryesor.
Fjala është për Mario Hermoso që nuk u aktivizua për asnjë minutë, por, ky fakt nuk e pengoi lojtarin t’i shpjegonte nga fare pranë arbitrit Vazquez atë se çfarë kishte ndodhur. Ndërkohë që duke pasur parasysh protokollin, arbitri duhej të kishte ndërhyrë dhe të mos e lejonte mbrojtësin t’i afrohej monitorit të VAR, teksa ky episod ka prodhuar edhe polemika në Spanjë pasi gjyqtari mund të jetë ndikuar në vendimin e tij për të akorduar penalltinë e cila rezultoi vendimtare për fatet e ndeshjes.



