Argjentinasit e Parisit në shënjestër, shpëton vetëm shtatë herë fituesi i Topit të Artë
PSG po përgatitet për një revolucion në verë në nivel institucional dhe sportiv. Eliminimi nga Realin në Champions vazhdon të djegë në klubin parizien, i cili pret të bëjë ndryshime të mëdha gjatë merkatos së verës. Një nga hapat e pashmangshëm që pritet të ndërmerren është “shkrirja” e klanit argjentinas. Sipas “L’Équipe”, Messi mund të jetë i vetmi “bardhekaltër” që do të qëndrojë në kryeqytetin francez sezonin e ardhshëm.
I pari që do të largohet do të jetë Ángel Di María. Argjentinasi ka qenë titullar vetëm në pesë ndeshje në vitin 2022 dhe PSG nuk ka ndërmend të rinovojë me të, pavarësisht faktit se ka një klauzolë në kontratën e tij për të zgjatur bashkëpunimin me klubin edhe për një vit në rast se të dyja palët bien dakord, diçka që duket pothuajse e pamundur për momentin.
Sa i përket Icardit, situata është edhe më e komplikuar. Ish-lojtari i Interit ka kaluar një sezon gjatë të cili më shumë ka luajtur jashtë fushës me problemet me bashkëjetuesen e tij Ëanda Nara. Të dielën ai u vërshëllye nga tifozët kur u aktivizua në vend të Kylian Mbappesë. I blerë për 50 milionë euro, performanca e tij ka qenë zhgënjyese dhe PSG mund të pranojë edhe 20 milionë euro vetëm për ta hequr qafe.
Paredes është një tjetër nga ata që mund të largohen nga Parisi, sipas L’Équipe. Mesfushori nënshkroi për 47 milionë euro në vitin 2019 dhe në tri vite ende nuk ka arritur të fitojë një vend stabël në mesfushë. Realiteti është se në dhomën e zhveshjes, me përjashtim të argjentinasve, askush tjetër nuk është i kënaqur me karakterin e tij. Në fakt, “L’Équipe” thekson se Paredes konsiderohet si “qeni roje” i Messit, një lojtar me të cilin ka një miqësi të madhe.
I vetmi lojtar argjentinas që duhet të vazhdojë sezonin e ardhshëm në Paris është Leo Messi. Skuadra pariziene dëshiron ta vazhdojë, pasi ka edhe një vit në kontratë. Muajt e ardhshëm parashikohen intensivë në Paris, Messi është argjentinasi i vetëm që “pranohet” në ambientin parizien.



