Ylli ukrainas kundër idhullit të tij: Nuk ka reaguar për luftën e Rusisë, si fle natën?
Prej më shumë se një muaji, Ukraina është duke vuajtur agresionin e ushtrisë rusë në territorin e saj. Një luftë e cila ëshë dënuar ashpërsisht nga shtetet perëndimore si dhe Amerika, ndërkohë që pas nuk mbetet edhe bota e futbollit e cila ka bërë të pamundurën për të sensibilizuar dhe për të dënuar aktet e dhunës në Ukrainë.
Shumë lojtarë me famë dhe me ndikim janë shprehur kundër Rusisë, me ukrainasit që janë treguar mirënjohës për mbështetjen e tyre. Por, një nga yjet e kombëtares së Ukrainës, Andriy Yarmolenko i cili aktivizohet me Ëest Ham në Premier League ka sjellë në memorie se si një ukrainas dhe që dikur ka qenë idhulli i tij, nuk ka reaguar ende për luftën dhe nuk ka thënë asgjë kundër Putin.
Fjala është për Anatoliy Tymoshchuk, ish-lojtar i Bayern Munich dhe Ukrainës por që tashmë punon në Rusi te skuadra e Zenitit ku mban rolin e asistentit të trajnerit Sergei Semak. Yarmolenko ka treguar së fundmi se ka komunikuar në telefon me Tymoshchuk ndërsa kanë përdorur fjalë të rënda ndaj njëri-tjetrit.
“E pyeta se si arrin të flejë gjatë natës. Ai më tha se nuk fle fare. I kam thënë që ka qenë një idhull për mua, ka qenë një model të cilin kam dashur ta ndjek ndërsa tashmë ai është një hiç. Më është përgjigjur me fjalor banal, ndërsa edhe unë ia ktheva në të njëjtën formë”, tregon Yarmolenko.
Yarmolenko dhe Tymoshchuk kanë luajtur së bashku për shtatë vite në kombëtaren e Ukrainës.



