Rikthimi në shtëpi dhe “takimi” me rekordet, Tirana ka një mision për 7 javët e fundit
Rikthim në Selman Stërmasi me shansin për të siguruar aty titullin e 26-të të historisë. Tirana bën gati shampanjën për këtë të dielë, nëse Laçi humbet në Kukës të shtunën dhe më pas bardheblutë mposhtin Kastriotin, titulli kampion është i tyri, edhe matematikisht.
Shpërblim i merituar për një skuadër që ka demonstruar superioritet ndaj gjithë rivalëve, duke krijuar një vazhdimësi të frikshme. Tirana këtë të dielë, ka mundësinë për të vendosur edhe një rekord, atë të sigurimit të titullit 6 javë para fundit të kampionatit, diçka që nuk ka ndodhur asnjë herë në epokën e post demokracisë, teksa është e vështirë që të gjesh një arritje të tillë edhe më parë.
Tirana, me titullin tanimë praktikisht të siguruar, luftën e ka me veten, dhe rekordet. Përtej rekordit të sigurimit të titullit 6 javë para fundit, bardheblutë e Orges Shehit kanë mundësinë për të thyer edhe një tjetër rekord, atë të grumbullimit të më shumë pikëve në gjithë historinë e kampionateve me 36 javë, pra me skemën aktuale.
Mjafton të kujtosh se sezonin e shkuar Teuta e siguroi titullin me 66 pikë, aq sa kanë bardheblutë aktualisht pas 29 javëve. Në historinë e futbollit shqiptar, kampionati me 10 skuadra dhe 4 faza është aplikuar dy herë, nga 2003 në 2006 dhe nga viti 2014 e deri më sot.
Në epokën moderne skuadra që ka grumbulluar më shumë pikë është Skënderbeu, që e ka mbyllur kampionatin me 79 pikë, megjithatë rekordi absolut mbahet nga vetë Tirana, ajo e e epokës së artë në vitet 2000 që në sezonin 2004-2005 e mbylli kampionatin me 84 pikë, por ai ishte futboll i një kohe tjetër, dhe padyshim nëse arrin të tejkalojë edhe atë arritje skuadra e Orges Shehit do të bëhej formacioni që grumbullon më shumë pikë në gjithë historinë e kampionatit shqiptar.
Sezoni Kampion Pikë
2020-2021 Teuta 66
2019-2020 Tirana 70
2018-2019 Partizani 70
2017-2018 Skënderbeu 72
2016-2017 Kukësi 75
2015-2016 Skënderbeu 79
2014-2015 Skënderbeu 79
2005-2006 Elbasani 74
2004-2005 Tirana 84
2003-2004 Tirana 80



