Allegri: Mjaft me përrallat për largim, humbja me Interin pengu i këtij sezoni
Juventusi siguroi kalimin në finalen e Kupës së Italisë, pasi mposhti Fiorentinën në të dy ndeshjet dhe tani do të sfidojë Interin për të ngritur lart trofeun.
Trajneri Massimiliano Allegri e quajti suksesin ndaj Fiores si një fitore të grupit dhe komplimentoi paraqitjen në mbrojtje të skuadrës së tij.
“Të gjithë e donim këtë kualifikim dhe jam shumë i lumtur që e arritëm. Kemi sakrifikuar shumë dhe kemi bërë një ndeshje perfekte në aspektin defensiv. Nuk ishte e lehtë, pasi u bë shumë kohë që luajmë me të njëjtët lojtarë për shkak dëmtimesh, por skuadra di të sillet në fushë. Vlahovic e nisi me shumë vrull dhe tani po ndjen lodhjen. Është vetëm 22 vjeç dhe duhet të gjejë ekuilibrat fizikë e mendorë në fushë. Duhet të mësojë kohët e vrapimit dhe të mos përjetojë keq rastet e humbura, por jam i bindur që do t’ia dalë”, tha Allegri.
Kohët e fundit është folur për një largim të mundshëm të Allegrit nga Juve në fund të sezonit, por trajneri ka mohuar gjithçka, teksa ka rrëfyer edhe pengun e këtij viti.
“Mjaft më me përrallat për largim. Do të jem te Juve edhe për tre sezonet e ardhshme, ashtu siç e kemi të shkruar në kontratë. Mendoj se këtë vit kemi bërë shumë mirë, me përjashtim të humbjes ndaj Interit në kampionat. Nëse do ta fitonim atë ndeshje, do të ishim në garë për titullin, pavarësisht nisjes së gabuar”, tha trajneri bardhezi.



