Featured

Rama ik? Jo, Safet rri!

Teksa Safet Gjici po jepte intervistën në fushën e stadiumit të ri të Kukësit, para ndeshjes ku do inaugurohej impianti modern, 2 adoleshentë thërrisnin nga tribuna anësore: Rama ik!

Safo, si ai na ka lejuar gjithnjë t’i themi në konfidencë, mblodhi të tijtë dhe u tha: Kryeministri vjen të shtunën në Kukës, mos dëgjoj askënd që në kor të thotë Rama ik”.

Mision i pamundur? Atje në Kukës njerëzit janë njësoj si në të gjithë botën. Katër vite të duan, katër vite të shajnë, gjithë jetën të qajnë. Kështu që Safeti nuk ka pse mërzitet. Kur kohët të kalojnë do thonë: kush ishte ai i marrë që në Kukës ndërtoi një stadium dhe e shpalli Kukësin kampion?

Askush përveç tij nuk besonte në 2012-ën. I marri quhet Safet Gjici. Sot kryetar i bashkisë së Kukësit dhe president nderi i klubit verilindor. Personazh më vete.

Kur iku nga Kukësi afro 20 vjeç, i kishte vënë vetes një qëllim: Do rikthehem, por si i pari i vendit. Një version i moderuar i “Peaky Blinders”, që pasi mbaruan punë me Birmingamin, shkuan drejt Londrës për t’u rikthyer më pas në shtëpi.

Gjici ishte i mprehtë. Kish një mendje biznesmeni dhe karrieristi. Nuk përtonte. Kur mbaroi gjimnazin, jepte mësim matematike në një fshat afër Kukësit. Njish i llogarive, nuk del asnjëherë me humbje. As nga futbolli. Bravo i qoftë!

Në 10 vite, përvevse fitoi 2 kupa e doli disa herë i dyti, doli edhe kampion. Me thënë të drejtën nëse dikush do të thoshte në fillim të këtij mijëvjeçari që Kukësi do dilte ndonjëherë kampion do ishte kandidat për të shkuar te spitali 5.

As vetë Simpsons nuk mund ta parashikonin një gjë të tillë. E bëri Gjici, u bë copash ta ngrinte atë Kupë. Hallall e pat.

Gjici është një miks mes burrërisë dhe idealeve. I bën të dyja. Nuk do të bëjë armiq. Karizmatik, ka një vetë-humor në autoironi. Ka kuptuar diçka të rëndësishme. Në këtë vend dil sa më shumë në TV dhe mos bëj asnjëherë sherr me gazetarët. Edhe tani që ka trajner konfliktual, vetë është i qetë. Thuaji ç’të duash, nuk e ka problem.

Si tip është klasik. Nuk shquhet për modernizëm. Ka pasion makinat, por është një nga ata që jeton ditën dhe jo natën. Punëtor i madh, por ka shumë humor.

Kthehemi në Kukës. Kur Kukësi luajti një ndeshje të fundit para se të vinte në Superiore, sfida u zhvillua aty ku është bërë sot stadium ku lejohet të luajë dhe Kombëtarja. Ishte një lëndinë. Sot është një realitet.

Kështu që është mirë që atje në Kukës, në vend që të gjithë thërrasin “Rama ik”, të thonë: Safet Rri!

Sepse pa Safetin, shajeni sa të doni, në atë qytet, futbollin vështirë se do e shihte kush, përveçse në televizor.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency