Vllaznia-Partizani “all in”, në Europë shkohet nga “Loro Boriçi”
Sfidë me aromë Europe në “Loro Boriçi”. Vllaznia dhe Partizani përballen sërish brenda pak ditësh në tempullin e futbollit shkodran në një betejë të drejtpërdrejtë për vendin e katërt. Aktualisht e mban Vllaznia me vetëm një pikë më shumë, me shkodranët që kanë me vete edhe euforinë e atij kualifikimi në finalen e Kupës, të arritur nga pika e bardhë e 11-metërshave para 10 ditësh.
Një klasike e futbollit shqiptar, që vjen me gjithë rivalitetin e mundshëm të një finaleje sezoni, që i shikon të dyja skuadrat në luftë për të njëjtin objektiv. Në Shkodër duan Europën edhe nëpërmjet kampionatit, finalja e Kupës luhet pasi llogaritë e Superiores të jenë mbyllur dhe do të ishte një bast i rëndë që shpresat të vareshin vetëm aty. Me vete, përveç moralit dhe pa dyshim edhe mbështetjes së tifozërisë, kanë edhe statistikat. Partizani nuk e ka mundur Vllazninë në 5 përballje që janë luajtur mes tyre këtë sezon, megjithatë bilanci është shumë i ngushtë, pasi 4 prej këtyre sfidave kanë përfunduar në barazim sa i përket lojës së rregullt, ndërsa 1 është fituar nga shkodranët me avantazhin mininal 1-0, çka paralajmëron edhe këtë herë një sfidë të ekuilibruar.
Të dyja skuadrat vijnë pas barazimeve respektive, Vllaznia ndaj Teutës dhe Partizani ndaj Skënderbeut dhe e shikojnë këtë përballje si pikën e kthesës për t’i dhënë zhvillimin final sezonit. Te Partizani kërkojnë revanshin, me Dritan Mehmetin që ka punuar shumë edhe në planin psikologjik. Këtë herë presioni anon nga kampi i tij, jo vetëm për eliminimin në Kupë, por edhe sepse të kuqve u duhet të parakalojnë pikërisht Vllazninë në klasifikim për të siguruar biletën europiane, dhe nga të kuqtë të gjithë presin një skuadër të karikuar në maksimum.
Skuadra ka demonstruar rritje këtë vit kalendarik, por pa pjesëmarrjen në kompeticionet kontinentale sezoni mund të konsiderohet dështim dhe nga një arritje e tillë mund të varet edhe konfirmimi i trajnerit. Sezoni i Partizanit kalon pikërisht nga stadiumi ku nuk fiton që nga tetori i 2019-ës: “Loro Boriçi”.



