VIDEO/ “Më në fund në shtëpi”, Longo dhe lojtarët e Kukësit shijojnë stadiumin e ri
“Ne, të gjithë, jemi shumë të lumtur që më në fund jemi në shtëpi. Ne dhe i gjithë qyteti e kemi pritur shumë këtë moment të veçantë. Do të thyejmë limitet tona në këto ndeshje që kanë mbetur për t’u dhuruar kënaqësi tifozëve, këtij qyteti.
Mund ta ndiejmë nga sytë e njerëzve që ka shumë entuziazëm, kështu që kemi edhe përgjegjësi”, deklaroi ditën e djeshme Diego Longo, trajneri i Kukësit.
Ekipi verilindor do të rikthehet në shtëpi pas 3 viteve shtegtim nëpër stadium të ndryshme. Sot inaugurohet stadiumi “Kukës Arena”, me sfidën e parë që do të zhvillohet ndaj skuadrës së Laçit.
Trajneri italian dhe të gjithë lojtarët e Kukësit kanë zbritur për herë të parë në stadiumin e ri të premten në mbrëmje për të parë ndryshimet në tapetin e blertë, por jo vetëm.
Longo ka postuar një video në faqen e tij zyrtare, aty ku shkruan: “Më në fund në shtëpi”. Asnjë nga lojtarët aktualë nuk ka qenë pjesë e skuadrës së Kukësit kur stadiumi quhej “Zeqir Ymeri”.



