Arapi: Tre pikë të arta, jemi përmirësuar në mbrojtje. Nëse fitojmë me Kukësin…
Teuta siguroi tre pikë të rëndësishme përballë Dinamos, kundërshtar të cilin e mposhti 0-1 falë golit të Hebajt. Trajneri i ekipit durrsak, Renato Arapi vlerësoi përmirësimin e ekipit të tij në mbrojtje në deklaratën e dhënë për “Gol pas Goli” në Supersport.
“Sigurisht që jam i kënaqur, aq më tepër që fituan edhe rivalët tanë. Trepikësh me vlera. E nisëm vakët lojën, por filluam të intepretonim më mirë pas minutës së 30-të. Të dy ekipet ishin nën presion, tre pikët kishin rëndësi.
E kishim përgatitur ndeshjen me 2 sulmues. Mund të bëjmë më mirë, por, deri diku, jam i kënaqur. Defekti ynë kryesor ka qenë pësimi i golave. Kemi përmirësuar shumë manovrën mbrojtëse në tre ndeshjet e fundit.
Me një fitore kundër Kukësit mund t’i afrohemi vendit të katërt. Çdo gjë është e mundur, por primare për ne është t’i shpëtojmë zonës së ‘play-out’”, deklaroi trajneri i Teutës.



