Liverpool hedh një hap drejt finales, Villareal “bie” në Anfield
Villareal nuk mundet të bëjë surprizën përballë Liverpool me të kuqtë që në një Anfield të zhurmshëm mposhtën spanjollët me rezultatin 2-0.
Në pjesën e parë, Liverpool ishte dominues ndaj spanjollëve. Anglezët e trajnerit Jurgen Klopp kishin një marsh më shumë në fushë dhe sinjalin e parë e dhanë me anë të kombinimit Salah-Mane, por senegalezi nuk pati saktësinë e duhur në goditjen me kokë.
Në vazhdim, portieri i spanjollëve, Rulli u bë protagonist me disa ndërhyrje shpëtimtare, megjithatë atij iu desh edhe fati me vete në një goditje potente të Thiago Alcantara në fundin e 45-minutëshit të parë. Spanjolli kalibroi mirë goditjen e tij, por nuk kishte bërë llogaritë me shtyllën me Villareal që në këtë rast pati fatin me vete.
Fraksionin e dytë, Liverpool e nisi me të njëjtin ritëm megjithatë në këtë pjesë, të kuqtë ia dolën të gjenin edhe rrugën e rrjetës teksa në minutën e 53, një harkim i Salah u devijua nga Estupinan duke nxjerrë jashtë loje portierin Rulli.
Ndërkaq, vrulli i anglezëve solli edhe golin e dytë me Mane që kombinoi me Salah dhe në limitet e pozicionit jashtë loje shkundi rrjetën.
Falë këtij rezultati, Liverpool hedh një hap të sigurt drejt finales me “Nëndetësen e verdhë” që pasi eliminoi Juventus e Bayern, këtë herë u detyrua të dorëzohej në Anfield.



