Ballkani i Dajës nis festën, triumf i Llapit në transfertë
Ballkani i Ilir Dajës është një hap larg titullit kampion në Kosovë. Skuadra nga Suhareka mposhti me rezultatin 3-2 Dritën dhe tashmë iu mungon vetëm një pikë për të siguruar edhe matematikisht titullin kampion. Megjithatë, Ballkani ka nisur festën dhe pas ndeshjes me Dritën, atmosfera e titullit është ndjerë gjithnjë e më shumë me lojtarët që gëzimin e kanë ndarë me trajnerin Ilir Daja.
Sa i takon kronikës së ndeshjes, të pestë golat e ndeshjes u shënuan në pjesën e dytë. Fillimisht, Ballkani shënoi dy gola në minutat 49 dhe 54, ndërsa më pas u barazua në të 78 dhe 89-tën. Megjithatë, Ballkani e kishte rezervuar golin vendimtar në limitet e ndeshjes duke shënuar në të 95-tën me Krasniqin. Pas këtij rezultati, Ballkani është në vendin e parë me 69 pikë, ndërsa Drita mban vendin e dytë me 55 pikë.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër, Llapi triumfoi me rezultatin 0-2 në transfertë ndaj Malishevës. Golat për miqtë u shënuan nga Ramadani dhe Maliqi teksa aktualisht Llapi mban vendin e katërt me 53 pikë, ndërsa Malisheva lufton për mbijetesë dhe mban vendin e tetë me 37 pikë.



