Skënderbeu “buzë greminës”, por Vllaznia synon rikthimin te fitorja
Vllaznia kërkon kthesën në “Loro Boriçi” përballë Skënderbeut. Shansi ideal për Elvis Plorin për të siguruar fitoren e parë në kampionat, në drejtimin e stolit kuqeblu, duke qenë se suksesi ndaj Partizanit në Kupë, erdhi nga lotaria e 11-metërshave.
Me 3 barazime dhe 2 humbje në daljet e fundit në kampionat, Vllaznia nuk ka mundur të përfitojë nga hapat fals të rivalëve në garën për Europën, edhe pse vendi i katërt që i siguron pjesëmarrjen duke qenë se është edhe në finalen e Kupës është vetëm një pikë larg.
Ndaj Skënderbeut nuk ka alibi, skuadra korçare e ka vulosur fatin e saj në sfidën e humbur javën e kaluar me Egnatian, dhe madje në këtë raund mund të vijë edhe verdikti zyrtar për rënien një kategori më poshtë, në rast se Skënderbeu humbet në Shkodër dhe rrogozhinasit fitojnë po të dielën ndaj Kastriotit.
Presioni është i gjithi në kampin kuqeblu, me skuadrën që duket se ka humbur disi edhe nga frymëzimi për të krijuar që kishte me gjermanin Brdaric, ndaj për Vllazninë është momenti për të reaguar, duke qenë se kalendari ju ofron dy sfida kundër skuadrave të fundit të tabelës dhe me një këmbë në kategorinë inferiore, me formacionin shkodran që pas Skënderbeut do të ndeshet me Dinamon. Dy sfida vendimtare këto për shanset e Vllaznisë për të siguruar një biletë europiane nga kampionati.



