Featured

VIDEO/ Shtyhet festa e titullit, Tirana del e mposhtur nga Laçi

Nuk ka festë titulli për Tiranën në Laç me bardheblutë që dolën të mposhtur nga vendasit me rezultatin 0-1, falë një goli të Guindos në pjesën e parë. Kurbinasit shkurtuan distancën me kryeqytetasit në 12 pikë, ndërsa këta të fundit tashmë duhet të presin ndeshjen e mesjavës ndaj Teutës për provuar shijen e titullit numër 26 në histori.

Sa i përket pjesës së parë, Tirana dha shkëndijen e parë me Seferin që krijoi hapësirën e duhur për Devid dhe Gjumsin, por asnjë prej tyre nuk ia doli të devijonte sferën në portën e Dajsinanit. Në vazhdim ishin sërish bardheblutë me mundësinë e shkëlqyer që iu shfaq Limajt, por mesfushori gaboi krejtësisht pas pasimit të Totre. Gjithsesi, Laçi nuk u impresionua nga starti i kryeqytetasve dhe sinjali ishte pas një harkimi të Zikos me topin që pas devijimit të Seferit u përplas në traversë.

Goli ishte në ajër për kurbinasit dhe erdhi në minutën e 13-të kur Guindo realizoi një perlë pasi gjeti trekëndëshin e Visar Bekajt, i cili me gjithë hapjen e tij nuk mundi ta shmangte golin. 9 minuta më pas ishin sërish vendasit pranë golit, teksa Guindo e më pas Malota për pak sa nuk ndëshkuan bardheblutë. Në të 25-tën, Tirana rikthehet të shohë nga porta e Laçit dhe e bën me Hoxhallarin. Kapiteni ekzekuton një goditje dënimi, por topi devijohet në këndore.

Në fund të pjesës së parë, sërish Tirana ka një shans të artë, këtë herë me Gjumsin i cili nuk ia del të shmangë Dajsinanin ndërsa në vazhdimin e aksionit Limaj gabon shënjestër. Në fraksionin e dytë, bardheblutë ishin më të orientuar drejt sulmit për të gjetur golin e barazimit dhe patën mundësi me Seferin dhe Gjumsin.

Për t’u përmendur rasti i këtij të fundit që tentoi me roveshatë, por u ndal nga Dajsinani. Në minutat e fundit, Tirana rrezikoi të pësonte edhe të dytin, megjithatë Bekaj ndali sulmet e Guindos. Në këtë formë, kryeqytetasit duhet të presin ndeshjen e radhës për të festuar titullin të cilin mund ta fitojnë me një trepikësh apo edhe me një tjetër rezultat, mjafton të jetë i njëjtë me atë që regjistron Laçi.

Kronika e ndeshjes:

90′ Mbyllet ndeshja, Laçi fiton me rezultatin 1-0 dhe shtyn festën e titullit për Tiranën

79′ Julian Shehu godet me forcë, por mesfushori gjen kundërpërgjigjen e Bekajt që e largon topin në këndore

68′ Provon Laçi me Velkoskin, mbrojtësi godet me kokë dhe përplaset me Najdovskin me dy futbollistët që mbesin të dëmtuar

64′ Spektakolar Aldi Gjumsi që tentoi me një roveshatë, por Dajsinani grushtoi topin duke larguar rrezikun

58′ Seferi godet bukur në hyrje të zonës, por po aq e bukur ishte edhe hedhja e Dajsinanit që shpëton portën e tij

54′ Julian Shehu provon nga një distancë e konsiderueshme, por nuk gjen kuadratin e Bekajt

51′ Provon Hoti për Tiranën por mesfushori nuk ka saktësi në goditje

45+2′ Mbyllet pjesa e parë, Laçi kryeson me rezultatin 1-0 ndaj Tiranës

45+2′ Tirana shumë pranë golit të barazimit me Gjumsin, ndërsa më pas provon edhe Limaj por nuk gjen kuadratin e Dajsinanit

41′ Mazrekaj tenton drejtpërdrejt nga goditja e dënimit edhe pse në një pozicion të vështirë, por Bekaj është i vëmendshëm dhe largon në këndore topin

37′ Tirana provon me Gjumsin, por sulmuesi anësor fiton vetëm një këndore

25′ Hoxhallari provon nga goditja e dënimit, por kapiteni i Tiranës ndalet nga muri i kurbinasve

22′ Laçi i afrohet golit të dytë, Guindo ndalet nga Bekaj ndërsa tentativa e Malotës ndalet në rrëmujën e lojtarëve para portës së Tiranës

Goooooool!13′ Laçi gjen golin, Guindo shënon një perlë në hyrje të zonës duke e dërguar topin në trekëndësh

11′ Kundërpërgjigjet Laçi, harkimi i Zikos devijohet nga Seferi dhe topi shkon në traversë

8′ Sërish është Tirana që rrezikon kurbinasit, Totre shmang dy futbollistë të Laçit, pason për Limajn por mesfushori nuk koordinohet saktësisht

4′ Mundësia e parë i takon Tiranës, Seferi lëviz mirë në zonë, por Devid dhe Gjumsi nuk përfitojnë për të shtyrë sferën në rrjetë

1′ Starton ndeshja, Laçi pret Tiranën që mund të shpallet kampione edhe matematikisht nëse ia del të marrë qoftë edhe një pikë

Laçi:Dajsinani, Roganovic, Malota, Velkoski, Ziko, Deliu, Shehu, Velija, Guindo, Mazrekaj, Adeleke
Trajner: Shpëtim Duro

Tirana:Bekaj,Tosevski, Najdovski, Hoxhallari, Ismajlgeci, Limaj, Toli, Totre, Seferi, Devid, Gjumsi
Trajner: Orges Shehi

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency