Premier League

Gafa e United në merkato, e zbulon ish-sulmuesi: Nuk më besohet, zgjodhën Lindelof para Van Dijk!

Prapaskenat gjatë merkatos janë të shumta, me klubet dhe futbollistët që përfshihen në tratativa të ndryshme e që shpeshherë nuk bëhen publike. Një të tillë ka zbuluar sulmuesi Charlie Austin, i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e Southampton së bashku me Virgil Van Dijk. 32-vjeçari thekson se gjatë një ndeshje me Chelsean në vitin 2017 teksa ishte në stol së bashku me mbrojtësin, e kishte pyetur holandezin nëse do të ndryshonte skuadër në merkato, por Van Dijk i ishte përgjigjur se Manchester United kishte zgjedhur Lindelof në vend të tij.

“Më kujtohet kur isha te Southampton, ishte një ndeshje kundër Chelseat në transfertë dhe së bashku me mua në stol ishte Van Dijk. I kërkova të më tregonte se çfarë po ndodhte me të ardhmen e tij, i thashë se me siguri Manchester United do të ishte interesuar për të. Por, me shumë sinqeritet ai u kthye dhe më tregoi se në verë kishte pasur kontakt me Manchester United por Djajtë e Kuq ishin të pavendosur mes tij dhe Lindelof.

Në fund, United zgjodhi Lindelof dhe unë i thashë Van Dijk se kjo ishte diçka qesharake. Nuk e di nëse dikush tjetër ka qenë më parë në dijeni të kësaj prapaskene, por unë mund ta besoja. Kishin zgjedhur Lindelof para Van Dijk”, u shpreh Austin.

Ndërkaq, në vitin 2018, Van Dijk nënshkroi për Liverpool për 84.6 milionë euro ndërsa me të kuqtë u shndërrua në një prej mbrojtësve më të fortë në botë duke fituar Champions League dhe Premier League. Nga ana tjetër, te United me siguri do të jenë penduar pasi Lindelof nuk ia doli asjëherë të ishte në lartësinë e historisë së klubit.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency