“Ustallarët” e goditjeve të dënimit, cilët janë 10 futbollistët që kanë shënuar më shumë në 5 vitet e fundit
Golat nga goditjet e dënimit janë padyshim nga më të bukurit dhe më spektakolarët, por njëkohësisht edhe më të vështirët për t’u shënuar, për vetë distancën e largët dhe përqendrimin e portierëve.
Megjithatë ka disa futbollistë që nuk i kanë aspak problem këto vështirësi dhe të ekzekutojnë një goditje dënimi, e kanë përafërsisht si një penallti, ndaj arrijnë ta dërgojnë shpesh topin në rrjetë.
Francesco Totti, Andrea Pirlo, Cristiano Ronaldo, Lionel Messi, Wesley Sneijder etj., janë disa nga emrat që shquhen për ekzekutimin e goditjeve të dënimit, por cilët janë futbollistët që kanë shënuar më shumë gola nga pozita të tilla gjatë 5 viteve të fundit, duke nisur nga gushti i 2017-ës.
10. Memphis Depay – 5 gola
Sulmuesi holandez nuk shkëlqeu te Manchester United, por gjeti veten te Lyoni, ku bëri mjaft mirë dhe shënoi shumë gola, para se të transferohej te Barcelona verën e kaluar me parametra zero.

9. Sergej Milinkovic-Savic – 6 gola
Mesfushori serb i Lazios është një nga futbollistët më konstantë te kryeqytetasit italianë. Ai shënon në mënyra të ndryshme dhe ka ndihmuar që lacialët të luajnë në nivele të larta, teksa 6 herë ka gjetur golin edhe nga goditja e dënimit.

8. James Maddison – 6 gola
Mesfushori anglez ka spikatur së fundi me Leicesterin dhe është shndërruar në titullar të padiskutueshëm. Ai ka shënuar 29 gola me fanellën e “dhelprave”, 6 prej të cilëve nga goditjet standarde.

7. Simone Verdi – 6 gola
Sulmuesi italian është një emër thuajse i panjohur, pasi nuk ka pasur një karrierë në nivelin e pritshmërive, por së fundi ka rilindur te Salernitana, ku ka shënuar tre gola në javët e fundit dhe dy prej tyre me goditje dënimi. Që prej gushtit të 2017-ës, ka gjetur 6 herë rrjetën me goditje standarde.

6. Enis Bardhi – 6 gola
Fantazisti shqiptar i Maqedonisë së Veriut është një tjetër mjeshtër i golave me goditje standarde. Sa herë që Levante fiton një faull në kufijtë e zonës, portierët kundërshtarë vihen në alarm, pasi në 6 raste Bardhi e ka dërguar topin në rrjetë.

5. Maximilian Arnold – 7 gola
Nuk është mbrojtësi i Liverpoolit, por bëhet fjalë për mesfushorin gjerman të Wolfsburgut. I rritur pikërisht në këtë klub, 27-vjeçari numëron 283 ndeshje dhe 34 gola të shënuar, 7 prej të cilëve pikërisht nga goditjet standarde.

4. Nabil Fekir – 7 gola
Mesfushori franko-algjerian spikati për aftësitë e tij me goditjet standarde kur vishte fanellën e Lyonit dhe tërhoqi vëmendjen e shumë klubeve, por në fund zgjodhi transferimin te spanjollët e Betis, ku sërish ia ka dalë të shënojë me mënyrën e tij të preferuar.

3. Aleksandr Kolarov – 7 gola
Mbrojtësi serb i Interit po luan shumë pak me zikaltrit në dy sezonet e fundit dhe është në prag të tërheqjes, por në periudhën 2017-2020 te Roma shënoi 17 gola, 7 prej të cilëve me goditje standarde.

2. James Ward-Prowse – 13 gola
Pep Guardiola e ka cilësuar si ekzekutuesin më të mirë në botë të goditjeve të dënimit dhe kapiteni i Southampton po e konfirmon këtë në fushë nga java në javë. Katër gola nga goditjet standarde i ka shënuar vetëm këtë sezon, ndërsa në Angli janë të bindur se ka diçka që ngjan me David Beckham, në mënyrën si godet.

1. Lionel Messi – 20 gola
Ylli argjentinas nuk po i tregon aftësitë e tij nga goditjet standarde te PSG-ja, ku u transferua verën e kaluar, por ka shënuar jashëtzakonisht shumë me fanellën e Barcelonës. Nga 50 gola të shënuara me goditje dënimi me fanellën e Barcelonës, 20 i ka realizuar në periudhën gusht 2017 deri në gusht 2021.




