“E treta e vërteta”, Tirana për titullin e 26-të në derbin ndaj Partizanit
Tirana ishte vetëm 17 minuta larg titullit kampion të 26-të në histori, por goli i Sebino Plakut u prishi festën bardhebluve, të cilët barazimin e përjetuan si një humbje, për shkak se për vetëm pak minuta do të merrnin kurorën që e mbante pikërisht Teuta.
Kjo ishte mundësia e dytë për kryeqytetasit, të cilët në fundin e ndeshjes ishin tepër të mërzitur për barazimin, diçka që e reflektuan me të mbaruar ndeshja. Ekipit të Orges Shehit i mjafton një fitore deri në fund të sezonit, ose në rastin më të keq që Laçi të mos i fitojë katër ndeshjet që kanë mbetur.
Në këtë edicion Tirana nuk kishte regjistruar asnjëherë më parë 3 ndeshje pa fitore. Deri në fund skuadra e Shehit do të luajë me Partizanin, Vllazninë, Dinamon dhe Kukësin. Bardheblutë kanë mundësinë të marrin hak ndaj Partizanit në derbin e kësaj të shtune, për t’u rikthyer reston pas festës që bënë të kuqtë kur u shpallën kampionë ndaj Tiranës në edicionin 2018-2019.
Skuadra do të kërkojë me çdo kusht që të mos e shtyjë më festën, aq më tepër që ka një motiv më shumë. Trajneri Orges Shehi nuk do të ketë të disponueshëm dy lojtarë titullarë si Filip Najdovski, i cili plotësoi numrin e kartonëve të verdhë, ndërsa në anën tjetër Redon Xhixha u ndëshkua me të kuq ndaj Teutës.
E treta e vërteta? Kjo mbetet për t’u parë, në një ndeshje që vlen më shumë se tre pikë, pasi në mes është krenaria e një derbi por mbi të gjitha titulli kampion. Partizani-Tirana do të luhet të shtunën në “Elbasan Arena”, duke nisur prej orës 18:45, dhe do të transmetohet në Supesport 3.



