Trajneri i Empolit për Asllanin: Sapo ka pirë qumështin, ndaj lereni të qetë
Kristjan Asllani bëri një tjetër paraqitje për t’u mbajtur mend në Serinë A, teksa këtë herë gjeti edhe golin e tij të parë si profesionist, pikërisht në një stadium mitik si “San Siro dhe ndaj një kundërshtari si Interi.
Mesfushori 20-vjeçar është shndërruar në titullar të padiskutueshëm te Empoli që prej muajit janar, ndërsa trajneri Andreazzoli nuk i kursen komplimentat për të, porn ë të njëjtën kohë mundohet t’i heqë edhe presionin e krijuar nga merkatoja, ku klubet e mëdjha po synojnë blerjen e kartonit të tij.
“Asllani gati për skuadrat e mëdha? Është i ri, sapo ka pirë qumështin. Le ta lëmë të përjetojë eksperiencën ashtu si duhet. Është një shembull i punës dhe seriozitetit, ndaj i ka të gjithë premisat për t’u bërë një futbollist i rëndësishëm. E dinim këtë dhe prisnim vetëm t’i shpaloste cilësitë në fushë. Sot ka interpretuar në mënyrë të shkëlqyer një rol jo të zakonshëm nga i tiji dhe ka shënuar një gol fantastik, për mënyrën si hyri në zonë, si stopoi topin dhe ftohtësinë e goditjes. Duhet të përmirësohet sigurisht, por ka bërë tashmë shumë”, u shpreh Andreazzoli.
Pikërisht Interi, të cilit Asllani i shënoi golin e parë në karrierë, është një nga kandidatët më të fortë për të marrë shërbimet e tij në fund të sezonit, pasi shihet si lojtari ideal për të luajtur para mbrojtjes, aty ku zikaltrit kanë vetëm Brozovic në organikë.



