Carrasco ndëshkon Realin, Simeone më i qetë për Championsin
Ateltico e Madridit është mjaftuar me golin e Carrascos në pjesën e parë për të fituar derbin e Madrdit. Në “Wanda Metropolitano” skuadra e Siemones kërkonte me çdo kusht fitoren ndaj rivalëve të qytetit, për të konsoliduar pozitat e saj në vendin e katërt, që të dërgon në zonën Champions. Carrasco shpërdori disa mundësi në pjesën e parë, ndërsa Reali vuajti dhe lodhjen e mesjavës, ku iu desh që të luante për 120 minuta për të marrë kualifikimin për në finale e Champions League.
Në të 37-tën sistemi VAR sinjalizoi një 11-metërsh për Atleticon e nga pika e bardhë e penalltisë Carrasco u tregua i saktë, duke zhbllokuar rezultatin. Pjesa e dytë ishte akoma dhe më ineteresante, me të dy ekipet që luajtën një përballje të hapur dhe kërkuan me ngulm rrugën e rrjetës, por pavarësisht rasteve të krijuara, mungoi goli. Në fund, Atletico iu gëzua një fitoreje që i jep vendin e katërt me një diferencë prej 6 pikësh me ndjekësin më të afërt, kur kanë mbetur dhe tri ndeshje deri në fund.
Reali i Madridit e ka fituar matematikisht titullin kampion dhe tani ka luksin që të mendojë vetëm për finalen e Champions League, ku do të ndeshet me Liverpoolin, më 28 maj, në Paris.



