Analizë Superiore/ Statistikat e javës së 33-të, Tirana rezultative, Vllaznia e meritoi fitoren
Java e 33-të e Kategorisë Superiore zyrtarizoi Tiranën kampione të vendin për herë të 26-të në histori. Bardheblutë festuan pikërisht në derbin me Partizanin, duke e mposhtur rivalin historik 1-2. Referuar statistikave të nxjerra në emisionin Analizë Superiore, përtej rezultatit, ka një dominim të lehtë të të kuqve thuajse në të gjithë komponentët e lojës, por Tirana tregoi se është më cinike dhe rezultative në lojën e saj, kuptohet nga cilësia e elementëve të veçantë, që bëjnë diferencën, siç është Seferi.
Te përballja Vllaznia – Kukësi, përtej keqardhjes së skuadrës verilindore për golin e pësuar në minutat shtesë, dallohet qartë dominimi i kuqebluve. Nga 22 goditje në total, pesë kanë qenë në portë, ndërsa skuadra e Longos ka goditur vetëm gjashtë herë drejt portës. Dominimi i lehtë në kontrollin e topit nga ekipi shkodran reflektohet edhe në numrin e pasimeve të saktë, ndjeshëm më i lartë te kuqeblutë.

Statistikat e takimit Laçi-Kastrioti janë në logjikën e rezultatit përfundimtar 4-1. Skuadra kurbinase ka dominuar në të gjithë komponentët e lojës: te goditjen në portë, në qarkullimin e topit, te pasimet e saktë etj. Në fakt, ishte një rezultat deri diku i pritshëm, pasi skuadra krutane praktisht e ka siguruar mbijetesën dhe nuk ka pretendime për Europën (nuk ka marrë licencën).

Dinamo – Skënderbeu ishte një sfidë mes dy skuadrave që sezonin e ardhshëm do të luajnë në Kategorinë e Parë. Ekuilibri në rezultat është pasqyrë edhe e statistikave të të dyja skuadrave. Dinamo, në fakt, ka një supermaci të ndjeshme sa u përket goditje drejt dhe në portë, por sulmi i “Nëndetëses Blu” mbetet shterpë. Goli që shënoi Dinamo erdhi “in extremis” falë një penalltie të akorduar në kohën shtesë.




