“Shkatërruan” Wolves, Guardiola: “Poker” golash, jam i zhgënjyer me De Bruyne
Kevin De Bruyne ishte padyshim njeriu i ndeshjes në takimin e së mërkurës në mbrëmje, në transfertë të Manchester City-t kundër Wolves, i cili u mbyll me fitoren e “Citizens” me rezultatin 1-5. Belgu ishte autori i katër golave të ekipit të tij, teksa goli i pestë u shënua nga Sterling.
Duke bërë shaka, në konferencën për mediet pas kësaj fitoreje, trajneri Pep Guardiola tha: “Jam shumë i zhgënjyer me të sepse humbi golin e pestë…”.
Më tej, Guardiola filloi të fliste me superlativa për 30-vjeçarin, për të cilin u shpreh se jo vetëm jep shumë asiste, por ka qenë vendimtar në realizimin e golave në sfida shumë të rëndësishme.
“Pjesa e dytë e kampionatit ishte përtej perfeksionit, ai është një djalë kaq bujar sa ka gjithmonë një tendencë për të asistuar, por mendoj se ai ka përmirësuar edhe sensin e golit këtë sezon. Ai fitoi ndeshjen kundër Chelsea-t, shënoi kundër Real Madridit, për ne ishte vendimtar.”-deklaroi ndër të tjera trajneri i Manchester City-t.
Gjatë këtij sezoni Kevin De Bruyne ka luajtur në 43 ndeshje në të gjitha kompeticionet, nga të cilat ka shënuar 19 gola dhe ka dhënë 13 asiste.



