Merkato

Projektohet rikthimi i bujshëm, Pjaniç gati të bashkohet me ish-klubin në Itali

Miralem Pjanicit nuk i mjaftoi largimi nga Barcelona, në janar, për të gjetur sërish buzëqeshjen dhe për të lënë pas vetes periudhën gri të karrierës së tij, që filloi pas largimit nga Juventusi.

Mesfushori boshnjak, i cili mbërriti në formë huazimi te Beshiktashi, në Turqi, nuk ishte në gjendje ta ndihmonte klubin bardhezi (jo Juven) për të shmangur një sezon katastrofik. Titullin e fitoi Trabzonspori, ndërsa Beshiktashi gjithashtu mbeti edhe jashtë Europës.

Kualifikimi në Champions ishte kushti i domosdoshëm në mënyrë që Beshiktashi të niste negociatën me Barcelonën në përpjekje për të blerë kartonin e Pjanicit, i cili kishte dërguar sinjale pozitive për të qëndruar në Turqi.

Gjithsesi, gjërat shkuan ndryshe, kështu që ish-i i Juventusit dhe Romës do të jetë një nga huazimet e shumta që praktikisht duhet të kthehet te Barcelona në përfundim të sezonit.

Por ai nuk është në planet e Xavit, ndaj duhet të gjejë një destinacion të ri. Kështu, sipas raportimeve të gazetës katalane “Sport”, Pjanic mund të rikthehet në Itali. Jo tek Juventusi, i cili mendoi të rimarrë boshnjakun verën e kaluar, por te Roma, e cila, që nga merkatoja e verës 2021, është në kërkim të një mesfushori me karakteristikat boshnjakut, pjesë e verdhekuqve në periudhën 2011-2016.

Në gjurmët e Pjanic, megjithatë, është edhe Napoli i Luciano Spallettit, trajner i boshnjakut te Roma dhe potencialisht i interesuar për lojtarin në rast të largimit të Fabian Ruizit, por edhe Fiorentina, që mund të nisë kërkimet për për të zëvendësuar Lucas Torreiran, nëse nuk do të arrihet një marrëveshje me Arsenalin për shlyerjen e kartonit të mesfushorit uruguaian.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency