De Bruyne merr çmimin prestigjioz një ditë para finales së titullit
“Ylli” i Manchester City-t, Kevin de Bruyne, është shpallur lojtari më i mirë i sezonit në Premier League, duke mposhtur në këtë garë sulmuesin e Liverpoolit, Mohamed Salah. Belgu ka shijuar një nga sezonet e tij më të suksesshme, me 15 gola në 29 paraqitje dhe duke dhënë shtatë pasime vendimtare për gol.
Belgu ka qenë thelbësor për skuadrën e Pep Guardiolës, që është shumë pranë fitimit të titullim për të dytin vit radhazi.
De Bruyne u shpall lojtari më i mirë në Premier League edhe në në sezonin 2019-20, ndërsa vitin e kaluar ky çmim shkoi për Ruben Dias. Pra, në tri sezonet e fundit këtë çmim e ka fituar gjithmonë një lojtar i Manchester City-t.
“Të fitosh këtë çmim për herë të dytë është një arritje për të cilën jam vërtet krenar”, – tha De Bruyne. – “Ka kaq shumë cilësi në Premier League dhe është kënaqësi të nominohesh me kaq shumë lojtarë të tjerë të mëdhenj që kanë pasur sezone të jashtëzakonshme për klubet e tyre. Mendoj se paraqitjet e mia këtë sezon kanë qenë të mira dhe jam i lumtur që kam qenë në gjendje të kontribuoj me gola dhe asistime gjatë gjithë sezonit.
Faleminderit të gjithë stafit, trajnerëve dhe veçanërisht shokëve të mi, sepse pa ta kjo nuk do të ishte e mundur”.
Mesfushori mposhti në këtë garë Salah dhe sulmuesin e Spurs, Son Heung-Min. Trent Alexander-Arnold, Jarrod Bowen, Joao Cancelo, Bukayo Saka dhe James Ward-Prowse ishin rivalët më të fortë për këtë trofe individual.



