Jorge Jesus rikthehet në pankinë, firmos me klubin e njohur turk
Përcaktohet e ardhmja e trajnerit të famshëm portugez, Jorge Jesus. 67-vjeçari, i cili kishte mbetur pa punë pas largimit nga Benfica dhjetorin e kaluar, është gati të rikthehet në stol për sezonin 2022-2023.
Sipas asaj që raporton “Record”, trajneri portugez po përgatitet për një aventurë të tretë jashtë kufijve të Portugalisë. Pas drejtimit të Al-Hilal dhe Flamengos, për Jorge Jesus ndalesa e radhës do të jetë Turqia, ku e pret pankina e Fenerbahçes.
Marrëveshja mes palëve është arritur. Kontrata do të jetë për një vit, në bazë të së cilës do të përfitojë 7 milionë euro. Gjithsesi, kjo marrëveshje nuk do të kishte vlerë nëse klubi nga Stambolli nuk do të mund të kualifikohej në Champions League.
Ne fakt, ky objektiv ishte formalitet, pasi në javën e fundit të kampionatit Fenerbahce fitoi 5-0 në fushën e Malatyasporit, ndërsa Konyaspori i shqiptarëve Cikalleshi, Çekiç dhe Bytyqi barazoi 1-1 me Beshiktashin.



