Dy goditje në një ditë, Napoli blen Anguissën dhe një mbrojtës uruguaian
Sezoni ka përfunduar dhe te Napoli nuk kanë ndërmend të humbin kohë për merkaton, teksa sot kanë ushtruar të drejtën e blerjes përfundimtare të kartonit të mesfushorit Frank Anguissa, i cili ishte pjesë e skuadrës në huazim nga anglezët e Fulham.
Ka qenë vetë klubi napolitan që ka njoftuar blerjen e plotë të kartonit, nëpërmjet një postimi në Twitter, ku pak më vonë njoftoi edhe akordin për blerjen e mbrojtësit të majtë uruguaian Mathias Olivera.
Ky i fundit vjen nga klubi i Getafes për të marrë krahun e majtë të mbrojtjes, një repart ku janë alternuar Ghulam e Mario Rui, megjithatë asnjë prej tyre nuk ka bindur plotësisht.
Uruguaiani 25-vjeçar ka firmosur kontratë 5-vjeçare me Napolin, me pagë që nis nga 1.3 milionë euro dhe rritet çdo sezon, për të kapur 1.9 milionë euro në vitin e fundit.
Olivera i bashkohet gjeorgjianit Kvaratskhelia, i cili firmosi disa ditë më parë me Napolin dhe pritet të marrë vendin e kapitenit Lorenzo Insigne, i cili u largua drejt Torontos, për të vijuar karrierën.



