Kosovë

Giresse: Jam i zhgënjyer me Kurtulus, duam të fitojmë grupin në Nations League

Përfaqësuesja e Kosovës ka filluar të premten grumbullimin për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet e Ligës së Kombeve që do të zhvillohen në muajin qershor.

Katër ndeshje brenda 10 ditëve do të jetë një sfidë e vërtetë për “Dardanet”, në një grup të vështirë me Irlandën e Veriut, Greqinë dhe Qipron. Trajneri francez Alain Giresse mbajti konferencën e parë për media ku deklaroi se se kjo kohë është e papërshtatshme për grumbullimin e futbollistëve.

“Kjo është kohë e papërshtatshme për t’i ftuar lojtarët t’i bashkohen skuadrës, situatë me të cilin po përballen edhe vendet tjera. Është një periudhë kur përfundojnë kampionatet dhe në të njëjtën kohë është edhe periudhë pushimesh. Jam bazuar edhe në listën e marsit pasi synimi ishte të krijojmë një bazë për këto ndeshje. Në këtë listë kam ftuar lojtarët në baze të informacioneve që i kam mbledhur dhe aspektit sportiv. Po ashtu, do të kemi mungesën e Edvin Kurtulusit, i cili ka zgjedhur të përfaqësojë Suedinë. Me pjesën e lojtarëve të tjerë do të përgatitemi për ndeshjet që na presin në Ligën e Kombeve”, tha trajneri i dardanëve.

Giresse foli edhe për futbollistët të cilët mungojnë në këtë grumbullim siç është rasti i Elbasan Rashanit, Bersant Celinës apo Florent Hadergjonajn. Francezi deklaroi se Rashani ka kërkuar të mos përfshihet në këtë grumbullim, ndërsa Hadergjonaj për arsye private. Për sa i përket objektivit të Kosovës ne Ligën C, Giresse tha se ndeshje të lehtë nuk ka, por “Dardanet” i kanë mundësitë që të fitojnë grupin.

“Të kemi paraqitje sa më të mira në këto katër ndeshje, ku dy i luajmë në udhëtim dhe dy në shtëpi. Qëllimi është të përgatitemi sa më mirë për të arritur pritshmëritë tona. Nuk guxojmë të mendojmë se ka ndeshje të lehta sepse ashtu nisemi drejt dështimit. Në futboll duhet të kesh modesti dhe t’i respektosh të gjithë. Favoriti nuk e fiton gjithmonë ndeshjen, kështu që do të përgatitemi sa më mirë. Nuk dua të caktoj objektiva por do t’i marrim ndeshjet një nga një dhe pastaj do të shohim. Dhe pse jo, pse të mos e fitojmë grupin”, tha Giresse.

Në konferencë nuk mund të mungonte edhe pyetja për Edvin Kurtulus, kapiteni i Kosovës U21, që ishte i ftuar në këtë grumbullim te Kosova A, por në momentin e fundit zgjodhi të luaj për Suedinë.

“Si trajner jam i zhgënjyer, por nuk kam çfarë të bëj. Unë i kam ne celular edhe bisedat më të dhe ai ishte i kënaqur me vendimin që e ka marrë. Edhe pse e kam ftuar te Kosova nuk do të thotë se do të kishte minutazh. Ju e dini qe lojtarët i marrin vet vendimet e tyre. Ne vetëm kemi mundur ta ftojmë dhe kjo është e gjitha. Edhe pse jam duke qeshur, mund të them se jam tejet i zhgënjyer për këtë”, tha Giresse.

Të premten Kosova ka mbajtur dy seancat e para stërvitore, në ora 10 paradite dhe 17:30 pasdite, ku kanë qenë të përfshirë 17 futbollistë. Disa prej lojtarëve të cilët kanë pasur angazhim me klubet, do t’i bashkohen ekipit në stërvitjen e së shtunës.

Kosova para provës në Nations League, Alain Giresse publikon listën me lojtarët e grumbulluar

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency