Ish-portieri i Shqipërisë: Qipro skuadër kundërsulmi, Kosova të bëjë kujdes
Ish portieri i Kombëtares Shqiptare, Arjan Beqaj ishte në një lidhje direkte me emisionin “Dardanët” në SuperSport, ku foli në prag të transfertës qipriote të Kosovës, duke qenë se prej vitesh jeton atje dhe i njeh mirë vendasit.
Beqaj deklaroi se Kosova ka më shumë cilësi në skuadër, megjithatë bëri thirrje për kujdes, pasi Qipro është një ekip që mbrohet mirë dhe kundërsulmon rrezikshëm.
Me se merreni aktualisht?
Faktikisht për momentin merrem me akademitë, me shkollat sportive. Vitin e kaluar kam qenë pjesë e ekipit kombëtar të Qipros.
Si ndiheni para ndeshjes mes Qipros dhe Kosovës?
Isha dje edhe në hotel, për të takuar futbollistët dhe stafin e përfaqësueses. Kosova ka shumë potencial dhe është në një moment ku nis një rrugëtim i ri. Trajneri i ri ka bërë 2-3 ndryshime, për të përmirësuar skuadrën në aspektin difensiv dhe presim që të bëjë një rrugëtim të suksesshëm.
Si është situata te Qipro? A mund t’i hapë probleme Kosovës?
Qipro është një ekip që duhet pasur kujdes, pasi nuk e ka shprehur të gjithë potencialin që ka në ekip. Ka shumë të rinj me eksperiencë ndërkombëtare dhe që janë shumë të shpejtë e teknikë. Ka futbollistë kapitenë në skuadrat e tyre, apo që kanë fituar tituj, ndaj duhen respektuar.
A mendoni se Kosova mund ta fitojë këtë takim në bazë të lojtarëve që ka?
Kosova ka potencial për të fituar jo vetëm këtë ndeshje, por edhe të tjerat e grupit, por në futboll ka shumë faktorë që vendosin. Qipro luan me tre në mbrojtje dhe ngjeshet mirë, ndaj është e vështirë të gjesh hapësira. Është ndeshja e parë dhe është shumë e rëndësishme që ta nisim mbarë.
Kosovës nuk po i vijnë shumë portierë kohët e fundit, ndërsa te Shqipëria është ndryshe situata…
Në Shqipëri ka portierë shumë të mirë si Etriti, Strakosha dhe 2 të tjerë shumë të talentuar. Megjithatë në Kosovë Muriç po bën shumë mirë dhe është i ri, që do të rritet gjithnjë e më shumë. Edhe Ujkani ka shumë eksperiencë, ndaj është i nevojshëm në ekip. Bekaj ka cilësi dhe ka nevojë për pak më shumë eksperiencë. Megjithatë që të formosh portierë cilësorë, nuk është e lehtë dhe Kosova nuk ka pasur as infrastrukturën e duhur. Të presim në vitet e ardhshme, që të ketë të tjerë portierë të talentuar.
Cila do të ishte këshilla që do t’i jepje Kosovës?
Qipro ka lojtarë të caktuar që mund të bëjnë diferencën. Janë 3-4 lojtarë me cilësi shumë të mira, që duhen pasur kujdes. Qipro është një ekip që mbrohet dhe duhet pasur kujdes në daljet në kundërsulm. Kosova do të ketë pak hapësira, pro ka lojtarë me cilësi të mira teknike dhe do ta gjejë një mënyrë për të shënuar, qoftë edhe me goditje standarde.



