Deri në Brazil për një lojtar, skautët e United mahniten nga lojtari që e zotërojnë prej 8-vitesh
Drejtuesit e Manchester United kanë nisur nga puna për sezonin e ardhshëm teksa me emërimin e trajnerit Erik ten Hag kërkojnë të rikthejnë sërish skuadrën në nivele konkurruese. Lëvizjet për “Djajtë e Kuq” në merkato pritet të jenë të shumta, pasi tekniku holandez pretendon të rinovojë ekipin me lojtarë premtues të së ardhmes.
Për të ndjekur këtë formulë të Ten Hag, janë vendosur në punë edhe skautët e United, të cilët para disa ditëve udhëtuan në Brazil për të ndjekur nga afër Joao Gomez që aktivizohet si mesfushor në radhët e Flamengos.
Por, për fat të keq 21-vjeçari nuk u aktivizua asnjë minutë në ndeshjen e Fluminenses dhe nuk mundi të tërhiqte vëmendjen e anglezëve. Gjithsesi, paratë e shpenzuara për të udhëtuar deri në Brazil nuk shkuan dëm, pasi skautët e United mbetën të surprizuar nga paraqitja e Andreas Pereira i cili shënoi dhe asistoi në triumfin 1-2 të skuadrës së tij.
Në fakt, 26-vjeçari nuk është i panjohur për Manchesterin pasi është pikërisht klubi anglez që ka në pronësi kartonin e mesfushorit prej vitit 2014 teksa Pereira ka regjistruar edhe 45 prezenca e 2 gola me fanellën e United. Por, “Djajtë e Kuq” nuk i kanë besuar shumë Pereirës teksa e kanë huazuar te Granada, Lazio, Valencia e së fundmi Flamengo.
Megjithatë, raporti i skautëve mund të ndikojë drejtpërdrejt që për Pereirën të ketë edhe një shand të fundit për të shkëlqyer në Old Trafford me teknikun Ten Hag që mund të marrë më të mirën e aftësive të belgut që ka origjinë braziliane.



