Reja dëgjo Andreazzolin: Asllani mendon vetëm për futbollin, ja si i sfidoi drejtuesit e Empolit
Edi Reja preferoi ta mbajë në stol, për t’i dhënë vetëm 20 minuta në ndeshjen ndaj Islandës, megjithatë ish trajneri i Empolit, Aurelio Andreazzoli ka folur me superlativa për Kristjan Asllanin, mesfushor shqiptar, të cilin e promovoi vetë në klubin toskan.
Duke folur pak ditë pas fundit të sezonit, Andreazzoli përshkroi të gjithë veçoritë e mesfushorit 20-vjeçar shqiptar, teksa zbuloi edhe një sfidë të tij në lidhje me bonuset e parashikuara në kontratë.
“Kur një futbollist është i talentuar, nuk duhet ta ngarkoni shumë e ta përdorni, por ta shoqëroni, t’i shpjegoni shumë gjëra, ta lini të luajë dhe shpesh ta ulni edhe në stol. Asllani mendon vetëm për futbollin, vrapon më shumë se kushdo dhe kur gabon, është i pari që e kupton këtë. Te Empoli i propozuan një premio që lidhej me minutat që do të luajë, por ai i sfidoi dhe e kërkoi për ndeshjet që do ta niste si titullar, edhe pse rrezikoi të merrte shumë më pak”, deklaroi Andreazzoli.



