9, 10 dhe 11 të zëna te Manchester City, Haaland jep sinjale mbi numrin që ka zgjedhur
Erling Haaland mund të konsiderohet si një nga goditjet më të bujshme të kësaj merkato verore teksa sulmuesi norvegjez nga sezoni i ardhshëm do të veshë fanellën e Manchester Cityt. Një përforcim me shumë vlera për trajnerin Pep Guardiola që kërkonte me ngulm një bomber për të përmbyllur me sukses aksionet e krijuara nga skuadra.
Ndërkohë, kur ende nuk është prezantuar te City, Haaland duket se ka zgjedhur edhe numrin që do të mbajë në fanellë, pasi diçka e tillë ishte kthyer në një mister të vërtetë duke qenë se numrat kryesorë te “qytetarët” janë të zëna.
Kështu, numri 9 mbahet aktualisht nga Gabriel Jesus i cili gjithsesi mund të largohet, ndërsa 10 mbahet nga Grealish dhe 11 nga Zinchenko. Në këtë formë, mbeten të pakta alternativat për Haaland i cili së fundmi ka dhënë një indicie mbi zgjedhjen e numrit teksa në rrjetet sociale ka publikuar një foto ku mban fanellën me numër 15.


Një numër të cilin e ka veshur edhe babai i tij, Alfe-Inge kur luante me Cityn teksa Haaland shkruan se trashëgimia vazhdon. Ndaj, duket sikur Haaland sapo ka zbuluar numrin që do të mbajë në fanellën e sezonit të ardhshëm dhe se nuk do të jetë ai numri klasik që përdorin zakonisht sulmuesit.



