Një bomber për Mourinhon, Roma gati të firmosë me golashënuesin më të mirë në historinë e Napolit
Pasi humbi armenin Mkhytarian, Roma është vënë në kërkim të një sulmuesi tjetër me peshë në repartin e avancuar dhe së fundi ka dalë në skenë emri i belgut Dries Mertens.
Këtij të fundit i ka skaduar kontrata me Napolin dhe deri tani rinovimi nuk duket në horizont, ndaj drejtuesit e Romës janë vënë në lëvizje për të vënë në dispozicion të Jose Mourinhos një sulmues me eksperiencë dhe mbi të gjitha me parametra zero.
Ndonëse me 35 vite mbi supe, belgu luan në Serinë A që prej verës së 2013-ës dhe njeh mjaft mirë kampionatin, teksa vlen të theksohet se në 9 sezonet e tij me fanellën e Napolit, është bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për të kaltrit.
Për më tepër, Mertens është një futbollist që mund të bëjë fare mirë pykën, por edhe sulmuesin e dytë, në skemën 3-4-2-1 që po përdor Mourinho, ndaj portugezi do të mirëpriste një futbollist me cilësitë dhe eksperiencën e tij.



