Portugalia mposhtet me “gol nga tuneli”, Spanja fiton dhe merr kreun e grupit
Spanja ka gjetur fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kombeve dhe ka marrë kreun e grupit, duke përfituar edhe nga humbja e Portugalisë. Skuadra e drejtuar nga Luis Enrique triumfoi me rezultatin 2-0 ndaj Republikës Çeke, falë golave të shënuar nga Carlos Soler në pjesën e parë dhe Pablo Sarabia në të 75-ën, duke u ngjitur kështu në kuotën e 8 pikëve, në krye të grupit.
Një gol nga tuneli solli humbjen e parë të Portugalisë, që u ndëshkua nga Seferovic i Zvicrës që në minutën e parë dhe më pas e pati të pamundur të ndryshojë shifrat, duke dalë pa pikë nga transferta helvete.
E nëse kjo ishte humbja e parë për Portugalinë, në të njëjtën kohë ishte edhe fitorja e parë për Zvicrën, pas tre humbjeve radhazi, megjithatë helvetët mbeten të fundit në grup, me vetëm tre pikë të grumbulluara.
Në Ligën B, Sllovenia ndali Serbinë në një barazim 2-2 në derbin ballkanik, duke i dhënë një asisti Norvegjisë, që tashmë është edhe më pranë sigurimit matematikisht të kreut të grupit.



