Foto/ Lazera, vërshëllima dhe dhunë ndaj tifozëve, Kosova pritet si armike në Greqi
Në stadiumin e Volosit ishin edhe një numër i vogël tifozësh të Kosovës, të cilët ishin sistemuar në tribunën e rezervuar për ta, megjithatë pritja e rezervuar nuk kishte aspak lidhje me një ndeshje futbolli.
Gjithçka nisi me vërshëllimat e tifozërisë vendase në momentin që po luhej himni i Kosovës, teksa gjatë gjithë 90-minutëshit, lojtarët “dardanë” shoqëroheshin nga dritat bezdisëse të lazerave.
Gazetarët e SuperSport raportojnë se në pushimin mes dy pjesëve, pati edhe hedhje sendesh e dhunë ndaj tifozëve të Kosovës, teksa në minutën e 71-të erdhi edhe ndërprerja për disa minuta e ndeshjes.
Në momentin që Greqia shënoi golin e avantazhit, në tribunën ku ishin vendosur tifozët dardanë, përfunduan disa fishekzjarre, duke rrezikuar jo pak ata, teksa futbollistët e Kosovës nxituan të referojnë rastin te arbitrat.

Për më shumë se 5 minuta ndeshja u ndërpre në pritje të normalizimit të situatës, teksa sulmuesi Vedat Muriqi u pa të hakërrehej nga arbitri austriak, duke i thënë: Është vetëm një ndeshje futbolli dhe jo luftë.

Edhe kapiteni Amir Rrahmani u afrua të komunikojë me arbitrat, por pati një përplasje me trajnerin e Greqisë, uruguaianin Gustavo Poyet, i cili nuk i kurseu as sharjet ndaj mbrojtësit të Kosovës.



