Analiza e Shpëtim Duros: Kjo kombëtare nuk ka krahë, ja lloji i lojtarit që na mungon
Shqipëria mbylli në mënyrë zhgënjyese grumbullimin e muajit qershor, duke marrë një barazim e një humbje në dy ndeshje të Ligës së Kombeve dhe një barazim pa gola ndaj Estonisë në miqësore.
Motivimi dhe mungesa e lojtarëve të caktuar që mund të bëjnë diferencën, janë disa nga arsyet e dhëna nga trajneri Reja si shkak i këtyre paraqitjeve, teksa edhe tekniku i Laçit, Shpëtim Duro është munduar të bëjë një analizë mbi situatën e kombëtares në emisionin “Kuqezi” në SuperSport.
“Nuk është problem skeme, pasi 3-5-2 është një rreshtim që edhe unë e përdor shpesh dhe të jep ekuilibër në fushë. Problemi është se në futbollin modern janë shumë të rëndësishëm lojtarët që krahut, ata që mund të futen në driblim një kundër një dhe të të japin superioritet numerik. Ata që shkojnë në fundore dhe hedhin krosime të rrezikshme. Lojtar me cilësi të tilla ne kemi vetëm Roshin, që po të ishte sot, do të ishte padyshim më i rrezikshmi. Janë pikërisht futbollistët e shpejtë dhe teknikë në krah, ata që i mungojnë kombëtares, ndaj nuk po e bëjmë atë hapin e madh që të gjithë e presim”, u shpreh i mirënjohuri Shpëtim Duro.



