Klose nis karrierën si trajner, firmos me klubin që garon në elitën e futbollit austriak
Miroslav Klose nis karrierën si trajner. I tërhequr nga futbolli më 2016-ën, ish-sulmuesi i njohur gjerman kishte disa eksperienca si asistent te Gjermania dhe Bayerni i Hansi Flick, si dhe trajner i parë te Bayern U17, megjithatë tani do të regjistrojë përvojën e parë si trajner në nivele profesioniste.
Gjermani 44-vjeçar ka firmosur me klubin austriak të Altach, që sezonin e kaluar e mbylli kampionatin në vendin e 10 të renditjes dhe me Klosen në stol do të provojë të rritë nivelin dhe të sigurojë kualifikimin në kompeticionet europiane.
Ky do të jetë testi i parë si trajner për Klosen, që si sulmues ka pasur një karrierë të shkëlqyer dhe tashmë është para provës për të treguar se ka eksperiencën e duhur për të bërë mirë edhe në pankinë.



