Blic i Bayern Munich, bavarezët bindin De Ligt dhe i ofrojnë para plus një futbollist Juventusit
Chelsea nuk është më në “Pole Position” sa i takon shërbimeve të Mathijs De Ligt. Të paktën kjo është ajo që pretendon Sky Germania, në të cilën theksohet se Bayern Munich ka arritur të bindë mbrojtësin e Juventus të transferohet në Bundesliga gjatë kësaj dritare merkatoje. Sipas Sky Germania, drejtori sportiv i rekordmenëve gjermanë, Hasan Salihamidzic së bashku me trajnerin Julian Nagelsmann kanë folur personalisht me 22-vjeçarin holandez duke i shpalosur projektin e klubit.
Një projekt i cili është “përqafuar” me dëshirë nga De Ligt dhe në këtë formë, Bayernit tashmë i mbetet të bindë Juventusin. Italianët e kanë bërë të qartë se nuk pranojnë bisedime nën 80 milionë euro, teksa gjermanët për momentin janë në shifrën e 60 milionë eurove.
Gjithsesi, Bayern ka gati edhe një bonus për Zonjën e Vjetër teksa bavarezët janë të gatshëm t’i ofrojnë kartonin e mbrojtësit Benjamin Pavard. Mbetet për t’u parë nëse Juventus do të kënaqej me francezin i cili mund të mbulojë rolin e mbrojtësit të djathtë, por që ka treguar se mund të përshtatet edhe në qendër.



