Duro: Laçi tregoi vlera, për kualifikim edhe ndaj Petrocub. Merkato? Më mungon vetëm një lojtar
Laçi zhvilloi një ndeshje shumë të mirë në Podgoricë përballë Iskrës. Goli i kapitenit Mazrekaj i dhuroi bardhezinjve fitoren dhe kualifikimin në raundin e dytë të Conference League.
Skuadra e Shpëtim Duros do të sfidojë moldavët e Petrocub në këtë tur, me sfidën e parë që do të luhet të enjten (21 korrik) në transfertë. Takimi i kthimit do të zhvillohet një javë më vonë (28 korrik) në Shqipëri.

Nënkampionët e Shqipërisë vazhdojnë të konfirmohen një kockë e fortë në duelet europiane. Trajneri Shpëtim Duro preku disa tema në prononcimin për SuperSport, duke u nisur me dy duelet ndaj malazezëve, sfidat me Petrocub dhe nevojën për një mesfushor përpara mbrojtjes, repart ku Laçi ka pësuar ndryshime të shumta.
“Ne jemi të lumtur, sepse u kualifikuam vetë, kjo ka rëndësi. Ishte me rëndësi, pasi vinim nga një barazim në fushën tonë, por ja dolëm me mjaft personalitet dhe grintë në Podgoricë. Nuk ishte një ndeshje e lehtë, por e kaluam me sukses.
Iskra? Skuadra në të dyja takimet ka treguar vlera. Edhe në ndeshjen e parë, pavarësisht rezultatit, skuadra jonë dominoi përballë një rivali që ishte me të gjithë forcat pas.
Në ndeshjen e dytë ndryshuam pak formacionin, vendosjen dhe mënyrën e lojës, duke u mbrojtur mirë në mesin e fushës dhe duke shfrytëzuar vertikalizimet me Mazrekajn, Adeleken dhe Guindon. Gjithmonë e vumë kundërshtarin në vështirësi. Shënuam dhe kishim mundësi të mbyllnim ndeshjen, por rëndësi kishte kualifikimi, që ishte i merituar.
Petrocub? Duhet të jemi me këmbë në tokë. Kalimi i turit është sukses për të gjithë ekipet shqiptare, nga shumë pikëpamje, moralisht dhe financiarisht për klubet. Jemi më të qetë, por do tentojmë kualifikimin ndaj Petrocub, patjetër. Nuk kemi shumë informacion, por them se është një kundërshtar në nivelin tonë. Shanset janë për t’u kualifikuar.

Tirana-Partizani? I pashë ndeshjet. Duhet të jesh shumë i kujdesshëm dhe racional. Tirana duhet ta shfrytëzonte më mirë ndeshjen e parë. Partizani nuk e interpretoi siç duhet ndeshjen e dytë, më vjen keq që nuk kaluam, pasi janë përfaqësues të denjë të futbollit shqiptar, do rritej imazhi dhe koeficienti i skuadrave shqiptare në Europë.
Merkato? U larguan Lushkja, Shehu, Deliu, të cilët ishin fizionomia e Laçit për shumë vite. Kemi mesfushorë të mirë si Ujka e Spahiu, kemi lojtarë, kemi marrë edhe disa lojtarë të mirë në Kategorinë e Parë, të cilët do i shikojmë në vazhdim.
Na mungon vetëm një futbollist në pozicionin e numrit 6, ku luante Shehu. Nuk kemi arritur ta afrojmë, na prishi punë edhe dëmtimi i Qatos, ishte i vetmi lojtar që luan në atë rol. Ai vend është bosh, por jemi munduar ta mbulojmë me lojtarë si Ujka, që sigurisht që nuk japin rendimentin e duhur në atë pozicion, pasi shikojnë më shumë përpara”, përfundoi trajneri i ekipit kurbinas.
TESTONI NJOHURITË TUAJA RRETH PREMIER LEAGUE
QUIZ/ Premier League 2021-2022 – Sa mirë e kujtoni sezonin që sapo u mbyll?



