Serie A

FOTO/ Dy gola dhe një asist, tifozët zikaltër “çmenden” pas Kristjan Asllanit

Erdhi për të bërë zëvendësuesin e Brozovic, por Kristjan Asllani ka shfrytëzuar në maksimum mundësinë e tij te Interi dhe është shfaqur si protagonist në të tre miqësoret e para të zikaltërve në këto përgatitje verore.

Mesfushori 20-vjeçar shqiptar ka tejkaluar pritshmëritë, teksa gjithçka nisi me një ndeshje fantastike dhe një gol mjaft të bukur në miqësoren e parë ndaj një skuadre amatore të Milanos.

Vetëm pak ditë më vonë, Asllani ekzekutoi një goditje këndi në mënyrë perfekte, duke gjetur D’Ambrossion në zonë, me këtë të fundit që shënoi në miqësoren ndaj Luganos.

Mbrëmjen e djeshme ishte edhe testi i parë serioz për mesfushorin shqiptar, me Interin që u përball në miqësore me Monacon, një kundërshtar me formë fizike shumë më të mirë, duke qenë se ka nisur përgatitjet thuajse dy javë më herët.

Edhe këtë herë Asllani u hoqi të gjithëve dyshimet, pasi luajti me autoritet dhe nuk e humbi toruan, ndonëse e nisi me 2-3 gabime. Më pas mori situatën nën kontroll dhe nisi të shpërndajë lojën sa në një krah në tjetrin, teksa nuk munguan as vertikalizimet për dy sulmuesit, që nuk u shfrytëzuan si duhet.

Në fundin e pjesës së parë, Asllani hodhi një tjetër kros perfekt nga këndi dhe pikërisht për kokën e D’Ambrossios, por goditja u prit në momentin e parë nga portieri dhe më pas topi u shty në rrjetë nga Gagliardini.

Në pjesën e dytë, ndonëse kishte vrapuar pa fund, mesfushori 20-vjeçar pati fuqi dhe besim për të ndjekur një aksion me protagonist Lukakun dhe topin e grushtuar nga portieri, e gjuajti në mënyrë perfekte, për ta dërguar në rrjetë.

Tre ndeshje, dy gola, një asist dhe shumë cilësi në këmbë, janë veçoritë e shfaqura nga Asllani në fillimet e aventurës zikaltër, teksa kaq ka mjaftuar që tifozët e Interit të dashurohen me 20-vjeçarin nga Mollasi i Elbasanit, i cili po përjeton një ëndërr, pikërisht në klubin e tij të zemrës.

Komentet në rrjetet sociale janë të shumta dhe pavarësisht rikthimit të bujshëm të Romelu Lukakut, ai që ka tërhequr vëmendjen e fansave zikaltër është pikërisht Asllani, që po merr komplimente e besim gjithnjë e më shumë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency