Milan largon një mbrojtës, indicia e fundit afron De Ketelaere me kampionët e Italisë
Spezia ka përforcuar mbrojtjen me një milanist. Klubi bardhezi, që siguroi qëndrimin në Serie A dhe pjesë e të cilit ishte edhe Rey Manaj, ka prezantuar sot Mattia Caldarën.
28-vjeçari ishte i huazuar te Venezia sezonin e fundit, ekip me të cilin zhvilloi një sezon pozitiv në aspektin personal. Drejtuesit e Milanit kanë pranuar një tjetër huazim, tani te Spezia, që mund të blejë kartonin e tij në fund të sezonit.
“AC Milan njofton se ka shitur, në mënyrë të përkohshme, me të drejtë opsioni për blerjen përfundimtare, Mattia Caldaran te Spezia Calcio. Klubi i uron Mattias më të mirat për sezonin e ardhshëm sportiv”, lexohet në postimin zyrtar të kampionëve të Italisë.

Ndërkohë, kuqezinjtë janë shumë afër blerjes së Charles De Ketelaere. Fantazisti belg nuk është aktivizuar sot me Club Brugge në finalen e Superkupës së Belgjikës, indicie që e afron gjithnjë e më shumë me Milanin.
Klubi italian po bisedon prej kohësh me Brugge. 21-vjeçari ka refuzuar ofertat e tjera, ai dëshiron transferimin në Serie A, ndërkohë që marrëveshja finale Milan-Brugge pritet të mbyllet për shumën e 30-35 milionë eurove.
TESTONI NJOHURITË TUAJA RRETH PREMIER LEAGUE
QUIZ/ Premier League 2021-2022 – Sa mirë e kujtoni sezonin që sapo u mbyll?



