“Sulmues zone, ka guxim dhe karakter”, klubi spanjoll prezanton Armando Sadikun
Armando Sadiku zyrtarisht me skuadër të re. Sulmuesi i kombëtares shqiptare (38 ndeshje dhe 12 gola) ka firmosur për një vit me FC Cartagena, ekip që garon në divizionin e dytë të futbollit spanjoll.
Në njoftimin e zyrtarizimit të 31-vjeçarit, klubi iberik thekson se në akordin mes palëve është rënë dakord të përfshihet edhe opsioni i zgjatjes së bashkëpunimit deri në vitin 2024 nëse plotësohen disa kushte të caktuara.

Sadiku vjen nga Las Palmas, ekip me të cilin shënoi 6 gola në 26 ndeshje në sezonin e fundit në Segunda Division, ndërkohë që FC Cartagena do të jetë ekipi i katërt iberik në karrierë pas Levante, Malaga dhe Las Palmas.
“Futbollisti shqiptar karakterizohet si një lojtar zonë që shquhet për aftësinë e tij për të punuar në të mirë të skuadrës, për guximin dhe karakterin e tij të fortë në fushë”, lexohet në postimin e FC Cartagena.
TESTONI NJOHURITË TUAJA RRETH PREMIER LEAGUE
QUIZ/ Premier League 2021-2022 – Sa mirë e kujtoni sezonin që sapo u mbyll?



